Protesta qytetare në Tiranë ka shënuar këtë të premte ditën e saj të 62-të radhazi. Me thirrjet kryesore për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe për reformimin e thellë të sistemit politik në vend, dhjetëra qytetarë dhe aktivistë janë mbledhur në tubim.
Një nga protestuesit deklaroi se qëllimi i protestës është që të rrëzojë sistemin e kapur nga Rama dhe Berisha pasi është një nga sistemet më të korruptuara.
Ai tha se Reforma Territoriale po nxit shpopullimin.
“Ne këtu na bashkon një qëllim shumë i madh që të largojmë këtë sistem të korruptuar që ka marrë peng vendin, jemi bashkë për vendin tonë sepse jemi zot të kësaj toke. Jemi këtu sepse duam një Kushtetutë të re.
Reforma territoriale po vijon shpopullimin, këta nuk dinë hallet dhe problemet që kanë njerëzit.
Prej 62 ditësh shprehja ju erdhi fundi merr kuptim sepse ne duam liri dhe të drejtat tona, ne duam t’i japim fund këtij sistemi të marrë peng nga sy njerëz, duam t’i japim fund sistemit që s’pyet për njerëzit, sistemit të korruptuar dhe plaçkitës. Kjo protestë është kthyer në sensacion edhe për turistët.
Ne duhet të jemi bashkë deri në arritjen e qëllimit sepse ajo ditë po afron, të marrim atë që kemi dashur gjithmonë të jemi të lirë.
Rama na akuzon ne për korba dhe sorra por vetë është grabitësi më i madh. Kjo protestë është e shenjtë për ne, nuk tërhiqemi deri në rrëzimin e regjimit më të korruptuar”, tha ai.
Pjesëmarrësit në protestë kanë bërë të ditur se tubimet do të vijojnë edhe në javët në vazhdim, deri në përmbushjen e kërkesave të parashtruara.
Kërkesa kryesore mbetet dorëheqja e kryeministrit Edi Rama dhe ndryshimi i mënyrës së funksionimit të klasës politike. Pas fjalimeve të qytetarëve para Kryeministrisë, pritet të ketë edhe marshim të protestuesve në rrugët e Tiranës.