Dhjetra qytetarë kanë mbajtur këtë të dielë një protestë kundër ndërtimit të hidrocentralit të Skavicës. Organizatore e protestës ka qenë shoqata për Mbrojtjen e Pronave në Luginën e Drinit të Zi dhe është zhvilluar në fshatin Fushë Muhurr.
Banorët e zonës e konsiderojnë ndërtimin e Skavicës si një “genocid” për Dibrën.
Ndërtimi i një liqeni aq të madh siç parashikohet në kuotën 443 metra do të mbysë 32 fshatra, 16 mijë hektarë toka bujqësore dhe troje, do të shpërngulë 12 mijë banorë. Efektet sociale dhe mjedisore do të jenë katastrofike, pasi do të zhdukë gjithë fushën e Dibrës, dhe do ta ndajë atë në 2 pjesë, pra do ta zhdukë Dibrën.
Protestuesit shprehen se do të rezistojnë fort deri në anulimin e projektit, ndërsa protesta e radhës do të jetë të enjten e ardhshme në fshatin Katund i Ri në Luzni.