Kanë dalë të plota pamjet e grabitjes së një banke të nivelit të dytë rreth 4 javë më parë në Koplik të Malësisë së Madhe, për të cilën u vunë në pranga autorët e dyshuar Bekim Gurraj, Armir dhe Admir Shabaj.
Siç shihet dhe në videon e mëposhtme, kamerat e sigurisë kanë kapur të gjitha lëvizjet e autorëve, të cilët shfaqen me veshje sportive dhe të maskuar për t’u mos u identifikuar
Ata mbërrijnë para bankës me automjetin e tyre tip “Golf 3” dhe menjëherë i drejtohen nën kërcënimin e armës punonjësit të sigurisë. Më pas ata arrijnë të futen brenda bankës, duke tërhequr me vete dhe punonjësin e sigurisë. Sapo futen brenda, nën kërcënimin e një kallashnikovi, njëri prej tyre shtrin në tokë punonjësin e sigurisë dhe një klient.
Dy të tjerët marrin paratë nga arka. Vetëm pak minuta i duhen 3 autorëve për të marrë nga banka një shumë prej rreth 15 mijë eurosh. Me paratë në çante, 3 autorët largohen nga banka me automjetin tip “Golf 3” dhe më pas po nën kërcënimin e armës grabitën një tjetër automjet me të cilin u larguan në drejtim të Sheganit dhe ku më pas e braktisën atë.
Po në këtë zonë, policia e Shkodrës gjeti dhe sekuestroi njërin prej kallashnikovëve të përdorura në grabitje. Ndërsa në banesën e njërit prej autorëve, Bekim Gurraj u gjetën dhe sekuestruan pajisje dhe veshje të policisë mes tyre dhe radio marrës të cilat ky person i kishte përdorur ditën e ngjarjes për të këqyrur lëvizjet në bankë para grabitjes.