Dhunuan barbarisht punonjësin e pastrimit në Vlorë, arrestohen dy të rinjtë

9 Tetor 2025, 21:39Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Kozma Kukli

Policia e Vlorës ka identifikuar dhe më pas arrestuar autorët e dyshuar të një sulmi brutal fizik ditën e sotme ndaj një punonjësi të pastrimit.

Punonjësi i Ndërmarrjes së Pastrimit, Kozma Kukli u sulmua nga dy personat ditën e sotme rreth orës 14:00, përballë tregut të Çoles nga dy personat.

Ai mori plagë të shumta për shkak të dhunës fizike, dhe aktualisht ndodhet në reanimacionin e spitalit të Vlorës.

Policia thotë se shkak i sulmit fizik ka qenë banal, dhe se autorët e dyshuar janë persona me precedentë të mëparshëm kriminalë.

Njoftimi i Policisë Vlorë:

Dhunuan me sende të forta një 61-vjeçar, për motive të dobëta, ndalohen 2 autorët e dyshuar, me precedentë të mëparshëm kriminalë.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Vlorë, pas marrjes së njoftimit se në vendin e quajtur “Tregu i Çoles”, në lagjen “Bashkimi”, një shtetas ishte dhunuar fizikisht, organizuan punën për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore dhe kqyrjes së pamjeve filmike, u bë e mundur kapja dhe ndalimi i shtetasve:

E. S., 37 vjeç, banues në Vlorë, i dënuar më parë për “Plagosje e rëndë me dashje”, kryer me armë zjarri;

K. N., 30 vjeç, banues në Vlorë, i dënuar më parë për “Prodhim dhe shitje e narkotikëve”.

Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, për motive të dobëta, kanë dhunuar fizikisht me sende të forta shtetasin K. K., 61 vjeç, banues në Vlorë, i cili aktualisht ndodhet i shtruar në repartin e Reanimacionit të Spitalit Rajonal Vlorë.

Materialet iu referuan Prokurorisë, për veprën penale "Plagosja e rëndë me dashje” e kryer në bashkëpunim.


Video