Drama në Vaun e Dejës/ Zbulimi befasues: Uji i lumit më i pastër se uji i rrjetit

21 Shkurt 2024, 22:00Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Uji i lumit më i pastër se uji i rrjetit në Vaun e Dejës

Një faktor mjaft i dyshimtë që ndikon për sëmundjet e shëndetit mendor ka si shkaktare ndotjen nga metalet e rënda që mund të përhapen në ujë, mjedis apo prodhimet që marrim nga toka. Pikërisht, ky është një prej dyshimeve për statistikat e larta në zonën e Vaut të Dejës.

Ne u përpoqëm të zbulojmë diçka më shumë në lidhje me këtë pistë që dyshohet nga gjeologët dhe banorët e zonës duke pasur parasysh hartën e pasur me minerale.

Ne morëm dy mostra uji në mënyrë rastësore për të kuptuar përmbajtjen e mundshme të metaleve të rënda. Të parën në Gomsiqe, në lumin pranë minierës që nxjerr mangan dhe tjetra në një çezmë të ujit të pijshëm nga rrjeti. Pas analizave të kryera rezulton se treguesit për metalet kryesore janë brenda normave të përcaktuara në Vendimin e Këshillit të Ministrave numër 379 për ujin e pijshëm.

Ndonëse janë në përputhje me normat e përcaktuara në legjislacionin e vendit tonë, e kundërta ndodh me standardet e përcaktuara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë. Referuar këtyre parametrave treguesit në përgjigjet e analizave për dy mostrat e ujit për metalet e rënda janë shumëfish më të larta.

Konkretisht, te mostra e ujit të pijshëm nga rrjeti, kadiumi është sa gjashtëfishi i normës së OBSH,  ndërsa kromi është tetëfish më i lartë. Në këto kushte, mund të themi se nevojiten përmirësime në këtë fushë për të siguruar shëndetin e qytetarëve duke përshtatur ligjet me standardet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Në krahasimin mes dy mostrave, konstatohet diçka që tingëllon sa e çuditshme, aq edhe alarmante. Rezulton se treguesit e ndotjes me metale, janë disa herë më të larta te uji i pijshëm i rrjetit, se sa tek uji i lumit. Thënë më thjesht, uji i lumit në këto tregues rezultoi më i pastër se ai që mbërrin në çezmat e banorëve.

Konkretisht, kromi është 6-7 fish më i lartë në ujin e rrjetit sesa në ujin e lumit. Gjithashtu antimoni është 20-fish më i lartë në ujin e pijshëm sesa në ujin e lumit. Kjo lë vend për dyshime të mëdha se çfarë ndodh me ujin.

Analizimi që ne kryem, ishte i përgjithshëm. Ekzistojnë analiza edhe më specifike që mund të çojnë në rezultate edhe më të qarta. Pikërisht për këtë arsye nevojiten që në këtë zonë të kryhen studime të mirëfillta për të gjithë elementët natyrorë që mund të kenë ndikim në shfaqjen e një numri kaq të lartë të personave me aftësi ndryshe.

Veç faktorit mjedisor, përhapjes së lëndësve të rrezikshme në tokat bujqësore, ujin e pijshëm, problematikat shëndetësore mund të kenë edhe baza gjenetike. Gjithsesi, ekspertët gjykojnë se të gjitha ndërthuren me faktorin njeri, dhe dëmin që po i bëjmë mjedisit.

‘Djali sjellë probleme në shkollë...’ rrëfimi dramatik i babait për djalin me çrregullime të autizmit

Në fshatin Mnelë, Inside Story ndaloi në familjen e Angjelinit, një tjetër i diagnostikuar me çrregullim të spektrit të autizmitAi shkon në klasën e dhjetë, ndërsa vëllai i tij në klasën e 12.

‘Në shkollë më shumë për atë pjese e kam cu, për qetësim, të krijojë hapësirë të shohë dikë se këtu ke ka me pa vetëm ne’ u shpreh Ndue Krepa, babai

Babai, Ndue Krepa, tregon se djali i tij shpesh herë kur nervozohet është e vështirë ta kontrollosh. Për këtë arsye ai ka përcaktuar një të afërm të tij, ta shoqërojë në shkollë dhe të qëndrojë aty për t’u siguruar që nuk do të largohet nga shkolla.

‘E shoqëron ne shkolle, nuk e le te dale, se au kalon edhe kangjellat, 4 probleme me ka sjelle tash 4 muaj’ u shpreh Ndue Krepa, babai

Menaxhimi i një fëmije me këtë diagnozë në shkollë është problem më vete. Shpesh here, babai i Angjelinit është thirrur të paraqitet në institucionin arsimor.

‘Me kanë thene mbaje me ilaçe, mua më ka sjellë probleme, tash 4 herë kam qenë në shkollë, deri edhe në polici kam përfunduar, nervat i ka bajagi. Ma shumë ka ngacmu se e kanë ngacmu, kur ka nerva në shtëpi me mu, këtë pjesë une e di edhe ne polici me ka çuar ishin 3 raste qe ndodhi’ u shpreh Ndue Krepa, babai

Ai nuk e di se çfarë do të ndodhë në të ardhmen me të birin, por thotë se nuk pret ndihmë nga askush, aq më tepër nga institucionet. Ndoshta, mungesa e zërave të fortë për të kërkuar ndihmë nga shteti, ka lënë pas dore programe të mundshme trajtimi të fenomenit.

‘Djalin kam për ta rritur vetë unë, e ka bërë gruja, nuk kam për ti kërkuar gjë shtetit. Nuk du asgje tjetër prej të madhit zot vetem të përmirësohet me mire’ u shpreh Ndue Krepa, babai

Angjelini ka një vëlla dhe tre motra. Edhe në këtë familje, ka pasur diagnozë të njëjtë edhe një prej fëmijëve të tjerë. Sipas të atit, njëra nga vajzat ka pasur probleme të ngjashme shëndetësore, por i ka kapërcyer dhe është martuar.

‘Pak kam pasur dhe nje vajzë po e ka kalu mirë, e kam të martuar’ u shpreh Ndue Krepa, babai

Disa pjesëtar të familjes me aftësi ndryshe, nëna: Mjekja nuk e kuptonte që djali ishte autik

Në disa familje që vizitojmë në zonën e Vaut të Dejës, na bën të kuptojmë përmasat e vërteta të autizmit dhe diagnozave të tjera bashëshoqëruese. Marte Barçina thotë se në fis ka edhe persona të tjerë që kanë probleme shëndetësore. Ajo kujdeset edhe për motrën që jeton me të dhe ka probleme të shëndetit mendor.

‘Motrën e kam të sëmurë, ia bëj të gjitha shërbimet , djali i vëllaut është me sindromën daun, kemi shumë halle. Motra është 60 vjeçe, harron, flet tan diten me vete ba me i fol keq thote Marte e lamë këtë punë’ u shpreh Marte Baçina, nëna.

‘Prevalenca është kaq e lartë sa vëmendja duhet të jetë më e madhe edhe në ato gjëra që bëjnë diferencën psh identifikimi i hershëm që tek vizitat e para kur fëmija bën te mjeku specialist te pediatri te konsultorja’, u shpreh Denata Toçe, psikologe.

Video