Apeli i hoqi dënimin me burgim të përjetshëm Azgan Mërnicës, flet babai i efektivit të ekzekutuar: Vrasje për herë të dytë

10 Prill 2026, 21:18Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Azgan Mërnica dhe Novruz Cenalia

Asllan Cenalia, babai i efektivit të vrarë Novruz Cenalia, ka reaguar pasi Gjykata e Apelit hoqi dënimin me burgim të përjetshëm autorit të vrasjes të së birit, Azgan Mërnica.

Cenalia në një intervistë për Top Channel, tha se vendimi i Apelit është vrasje për herë të dytë.

Më tej ai theksoi se akoma shpreson tek drejtësia dhe se do ta çojnë vendimin në Gjykatën e Lartë.

“Vendimi është i papritur për mua si prind. Si punonjës policie nuk e prisja atë vendim, por shpresoj te drejtësia deri në fund. Vendimi është vrasje e dytë për mua, çfarë të them? Do vazhdojmë rrugët ligjore, jam punonjës policie, zbatimin e ligjit. Nuk ka më të rëndë se ajo që na ndodhi, por do mundohemi ta përballojmë. Do ta çojmë vendimin në Gjykatën e Lartë, shpresoj që do të vihet drejtësia në vend. Ia kam lënë drejtësisë, të bëjë punën e saj”,  tha ai për Top Channel.

Autori i vrasjes së policit Novruz Cenalia, Azgan Mërnica i shpëtoi dënimit me burgim të përjetshëm, pasi Gjykata e Apelit e Tiranës, e ka dënuar me 35 vite burg.

Apeli ka rrëzuar vendimin e Gjykatës së Fierit, e cila e kishte dënuar Mërnicën me burgim te përjetshëm. Prokuroria e kishte akuzuar Mërnicën për veprat penale “vrasje e punonjësit të Policisë së Shtetit”, “armëmbajtje pa leje” dhe “drejtim i automjetit në mënyrë të parregullt”.

Në datë 13 Maj 2024 në fshatin Baltëz, rreth orës 13:00, Azgan Mernica vrau me armë zjarri punonjësin e Policisë së Shtetit, Novruz Cenalia, pas një sherri për motive të dobëta.


Video