“Çdo janar pensioni do të rritet”, Rama u shpjegon pensionistëve skemën e re për pensionet

10 Prill 2026, 17:34Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Edi Rama

Në kuadër të bashkëbisedimeve për turin “Punët e Shqipërisë”, kryeministri Edi Rama zhvilloi këtë të premte një takim me pensionistë të njësisë nr. 2 në kryeqytet.

“Ju jeni të parët, të tjerët vijnë mbrapa”, me këto fjalë iu drejtua Rama pensionistëve.

Sipas kryeministrit, pensionistët dhe familjet me ndihmë ekonomike do të jenë të parët që do të përfitojnë nëse qeveria do të marrë një vendim për kompensimin e rritjes së çmimeve që mund të vijnë si pasojë e konfliktit në Lindjen e Mesme.

“Lufta në Lindjen e Mesme, që reflektohet tek çmimi i naftës, i cili befasisht kërcen jashtë çdo lloj parashikimi dhe që shpresojmë që ai armëpushimi 15-ditor të çojë në një zgjidhje përfundimtare, përpara se çmimi i naftës, simptoma e parë, të shfaqet pastaj edhe tek çmimet e ushqimeve. Nëse do të shfaqet tek çmimet e ushqimeve dhe do të jetë diçka me të cilën ne duhet të përballemi, sigurisht që gjëja e parë që do të mendojmë jeni ju pensionistët. Patjetër, të tjerët vijnë më pas”.

Gjatë një takimi me pensionistë të njësisë nr. 2 në Tiranë, kryeministri Edi Rama tha se po përgatitet një skemë e re mbështetjeje, bazuar tek shpenzimet familjare në bazë të shportës.

“Ato lekë, të cilat përmes kartës do të mund të shpenzohen me artikujt bazë në çdo lloj dyqani, në çdo lloj pike ku blihen ushqime, të jenë të gjitha me TVSH, në mënyrë që ajo TVSH-ja, që sot në shumë raste merret mënjanë nga shitësi, të shkojë prapë në buxhet dhe nga ai buxhet të kthehet tek ju, tek ata, dhe jo të merret e t’i fshihet shtetit nga shitësi”.

Rama deklaroi se po punohet për thellimin e reformës në këtë sektor, duke krijuar mundësi të reja kursimi për qytetarët edhe me kontributin e shtetit.

“Ne ndërkohë kemi diskutuar edhe për të tjera ndryshime që do të bëjmë në skemën e pensioneve, për të thelluar reformën e pensioneve, duke filluar të krijojmë edhe një hapësirë tjetër për të gjithë ata që do të duan të kursejnë më shumë për të pasur një pension më të lartë në të ardhmen, ku shteti do të fusë kontributin e vet”.

Ndërhyrje parashikohet edhe për pensionistët e vetëpunësuar.

“Do të rishikojmë edhe skemën aktuale për pensionistët e vetëpunësuar dhe për ata që vazhdojnë të punojnë, pasi ka dhe aty hapësirë për të bërë disa axhustime, të cilat përsëri shkojnë në favor të pensionistëve. Ndërkohë kemi diskutuar edhe mbështetjen për invalidët, të cilët kanë të drejtë të kërkojnë që të trajtohen në mënyrë të barabartë”.

Sipas Ramës, kjo kategori do të ketë prioritet në skemat mbështetëse të qeverisë, ndërsa do të përfitojë edhe nga rritja ekonomike që u reflektua në rritjen e pensioneve.


Video