Detaje/ "Igli vdiq duke salduar hekurat", arrestohet administratori "problematik" i Orange Club në Sarandë!

10 Prill 2026, 16:51Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Igli Gjoca

Një punonjës 31-vjeçar, Igli Gjoca ka humbur jetën teksa punonte në Orange Club në qytetin e Sarandës.

Gjoca ishte punësuar në mënyrë të paligjshme dhe dyshohet se ka rënë në kontakt me rrymën elektrike teksa po saldonte disa hekura.

I riu, me origjinë nga zona e Bajkajt, ishte i martuar dhe do të bëhej babai i një vajze, por fatkeqësisht humbi jetën ndërsa punonte.

Për ngjarjen, policia e Sarandës ka vënë në pranga administratorin e clubit, Ermal Fataj 40 vjeç, i cili akuzohet për punësim të paligjshëm dhe shkelje të rregullave në punë.

 Fataj rezulton se është arrestuar edhe në vitin 2017, asokohe i akuzuar se vrau me skaf një turiste ruse 15-vjeçare.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Sarandë arrestuan në flagrancë për veprat penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë” dhe “Punësimi i paligjshëm”, shtetasin E. F., 40 vjeç, banues në Ksamil, administrator i një lokali në Sarandë, pasi dje, gjatë punës në këtë lokal, ka humbur jetën shtetasi I. Gj., 33 vjeç, banues në Sarandë, i cili ishte punësuar në mënyrë të paligjshme. Nga veprimet e para hetimore dyshohet se ky shtetas ka humbur jetën si pasojë e kontaktit me rrymën elektrike. Vijojnë hetimet për dokumentimin e rrethanave të rastit”, njoftoi Policia.

Kjo nuk është hera e parë që në Orange, një ndër clubet më të frekuentuara në Sarandë, ndodhin aksidente në punë.

Edhe në vitin 2023 në të njëjtin club vdiq kamarieri 17-vjeçar Antonio Delilaj, i cili po merrte disa koli me ujë nga bodrumi për tek bari dhe ndodhej brenda ashensorit kur është këputur njëra prej kavove.

Goditja e fortë në kokë i shkaktoi vdekje të menjëhershme.


Video