400 mijë lekë ryshfet për lirimin e një të dënuari, pse u arrestua gjyqtarja e njohur dhe avokati në Elbasan

22 July 2022, 09:29Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
400 mijë lekë ryshfet për lirimin e një të
Zamira Vyshkja

Gjyqtarja Zamira Vyshkja dhe avokati Ilir Pashaj janë vënë në pranga për ryshfet dhe korrupsion në Elbasan. Sëbashku me ta janë vënë në pranga edhe 3 të tjerë të cilët kanë qenë të përfshirë në të.

Sipas SPAK, gjyqtarja dhe avokati kanë marrë një shumë monetare për të lirimin e një të arrestuari. KLGJ pritet të mblidhet për të pezulluar nga detyra gjyqtaren. Dyshohet se janë marrë 4 milionë lek në tetor të vitit 2021 për të liruar një të arrestuar.

Mediat shkruajnë se gjyqtarja e Elbasanit Zamira Vyshkja, e arrestuar për korrupsion, ka marrë ryshfet 400 mijë lekë në tetor të vitit 2021 për të liruar një të arrestuar. Avokatët dhe familjarët e të arrestuarit i dhanë lekët shoferit të gjyqtares për të ndikuar në vendim.

Njoftimi i SPAK:

'Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka kryer hetime në kuadër të procedimit penal nr.209 të vitit 2021, për veprat penale “Korrupsioni aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 319 dhe 25 të Kodit Penal, “Korrupsionit pasiv i gjyqtarit, prokurorit dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, parashikuar nga nenet 319/ç të Kodit Penal, si dhe “Moskallëzimi i krimit”, parashikuar nga neni 300 i Kodit Penal.

Fakti penal i hetuar, lidhet me një rast të korrupsionit aktiv/pasiv në sistemin e drejtësisë (në qytetin e Elbasanit), ku persona të interesuar/familjarë të një shtetasi të arrestuar në bashkëpunim me avokatin mbrojtës, i kanë ofruar gjyqtarit të çështjes një shumë monetare me qëllim favorizim  në caktimin e masës së dënimit.

Pas analizimit të provave të grumbulluara në kuadër të këtij procedimi penal nga Prokuroria e Posaçme, i është drejtuar Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar kërkesa për caktimin e masave të sigurimit. Gjykata me vendimin nr. 64 datë 21.07.2022 ka vendosur caktimin e masave të sigurimit personal për 5 (pesë) shtetas.

Më datë 22.07.2022 nga ana e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit është bërë ekzekutimi i vendimit të Gjykatës nr.64 datë 21.07.2022, për caktimin e masave të sigurimit.

Është ekzekutuar masa e sigurimit “Arrest në shtëpi”, parashikuar nga neni 237 i Kodit Procedurës Penale për shtetasen Z. V., me detyrë gjyqtare në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor, Elbasan.

Janë ekzekutuar masat e sigurimit “Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i Kodit Procedurës Penale, për shtetasin I. P., me detyrë avokat mbrojtës, si dhe për shtetasit T.R. dhe Xh.M.

Është ekzekutuar masa e sigurimit “Arrest në shtëpi”, parashikuar nga neni 237 i Kodit Procedurës Penale edhe për shtetasin A.T.


Video