100 kg kokainë nga Ekuadori dhe pengmarrje, ekstradohet në Itali shqiptari!

19 Shkurt 2024, 15:33Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Ardian Sufaj

Anëtari i një grupi kriminal dhe drejtuesi i një grupi tjetër që trafikon drogë janë ekstraduar nga Shqipëria në Itali.

Rasti i parë bëhet fjalë për 40-vjeçarin, Ardian Sufaj alias Pllumb Sufaj, i cili është arrestuar në Shëngjin më 13 qershor 2023.

Gjatë periudhës 2022-2023, organizata kriminale ku bënte pjesë 40-vjeçari, dyshohet se ka trafikuar rreth 100 kg lëndë narkotike kokainë, nga Ekuadori, me qëllim shitjen në Itali.

Mirëpo ngarkesa e drogës gjatë transportimit është vjedhur. Duket se Sufaj kishte rënë në gjurmët e “hajdutëve” dhe në bashkëpunim me persona të tjerë dyshohet se ka marrë peng një 40-vjeçar dhe e ka kërcënuar me armë, për t’iu dhënë informacion mbi vjedhjen e lëndës narkotike.

Ndaj tij Gjykata e Apelit e Triestes ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në kuadrin e organizatës kriminale, si dhe “Pengmarrja”.

Ndërkohë, drejt Italisë është ekstraduar edhe një 56-vjeçar, Artur Ademi alias Artur Liçaj, të cilit Gjykata e Leçes i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në kuadrin e grupit kriminal.

Gjatë periudhës 2018-2019, ka drejtuar një grup kriminal që trafikonte lëndë narkotike kokainë, nga Holanda në Itali dhe nga Shqipëria në Itali. Ademi është arrestuar më 2 shtator 2022 në qytetin e Vlorës. 

Video