Rruga Korçë-Ersekë dhe Belinda e Infrastrukturës

19 Shkurt 2024, 13:30Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Rruga e shembur Korçë-Ersekë dhe Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku duke folur në TikTok

Po hulumtonim në internet për të gjetur diçka më shumë mbi skandalin më të madh të rrugëve deri tani. Shembja e rrugës Korçë-Ersekë. Në përpjekje për të kuptuar çfarë ka ndodhur me fondet e akorduara disa herë për të, për një rrugë të shkurtër që mund të kishte marrë jetë njerëzish dhe që pritej të inaugurohej këtë qershor, kur në një video të çuditshme më shfaqet ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë.

Themi të çuditshme, pasi nuk prisnim të ishte e listuar në TikTok, aq shumë i anatemuar si rrjet social. E kuptoj qëllimin e mirë me të cilin ishte shpërndarë nëpër lajme të ndryshme, si ana “njerëzore e saj”, si pas një takimi që vinte nga shefi i saj në zyrat e TikTokut.

Por nuk mbërrijmë të kuptojmë se si mund të shfaqësh “njerëzoren” në një platformë problematike dhe për më tepër “të njohim” një anë që as nuk duam ta dimë, kur rrugët flasin ndryshe për të.

E dimë që tej të qenit politikan, janë dhe njerëz, por nëse e kanë vërtetë këtë të fundit pse nuk mbërrijmë të shohim “njerëzoren” dhe tek firmat që hedhin për ndërtime rrugësh apo tenderash të pafundëm që mbajnë miliona euro brenda.

Pse të mos gjenim fjala vjen një “dorë të hekurt” për çka hedhin në rrugë, por të përballeshim me grimasa TikToku?

Rruga Korçë-Ersekë, me kalvarin e saj miliona eurëshe, po jo në kalvarin e kilometrave (15 të tilla nuk u ndërtuan dot për 11 vite) do të vijojë të jetë një gropë e hapur e dëshmisë së abuzimit më fondet, por nga ana tjetër ministrja përgjegjëse e Infrastrukturës do vijojë të na japë momentet e saj pas kamerave, si një risi TikToku.

 

©CopyrightVoxNews

Ky artikull është ekskluziv i VoxNews, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar VoxNews dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

Video