1-vjeçari u infektua me HIV në spital? Familjarët të dëshpëruar: Prokurori po na zvarrit çështjen, do e çojmë në Strasburg

8 June 2023, 20:51Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
1-vjeçari u infektua me HIV në spital? Familjarët të
Foto ilustruese

Prindërit e 1-vjeçarit të konfirmuar me HIV/AIDS, ndërkohë që ata vetë ishin negativë, akuzojnë sistemin tonë shëndetësor për marrjen e infeksionit.

Prindërit ende nuk kanë marrë përgjigje se ku është infektuar djali i tyre. Ndonëse para disa muajsh Gjykata e Apelit të Tiranës i dha të drejtë atyre, duke kërkuar nga Prokuroria të hetojë imtësisht rastin dhe pretendimet e ngritura, ende nuk është ndërmarrë asnjë hap. Madje, prindërit e 1-vjeçarit kanë bërë kërkesë për ndryshimin e prokurorit Saimir Hysi, që sipas tyre, është duke zvarritur çështjen.

Babai i djalit ka thënë se edhe pse ka dy vendime të gjykatës, nuk është ndërmarrë asnjë hap nga prokurori. Shpresa u është shuar, ndërsa e vetmja alternativë, sipas tyre, është Gjykata e Strasburgut.

“Edhe pse ka dy vendime të gjykatës, nuk është ndërmarrë asnjë hap nga prokurori. Nuk kemi besim në autoritetet shqiptare, shpresa jonë e vetme është në Gjykatën e Strasburgut, do e çojmë deri në fund betejën për djalin”, tha i ati i 1-vjeçarit për News 24.

Kërkesa e familjarëve për ndryshimin e prokurorit, ende nuk është realizuar. Frika e tyre qëndron se çështja nuk do të zbardhet asnjëherë, nëse prokurori aktual Saimir Hysi do të jetë sërish në krye të hetimeve.

“Kërkojmë ndryshimin e prokurorit Hysi. Duam që çështja për djalin tonë të hetohet”, u shpreh babai i fëmijës së infektuar me HIV. Familjarët ndodhen në Itali prej muajsh, ku vendi fqinj është duke dhënë kurat e nevojshme për trajtimin e djalit, e madje i kanë akorduar edhe një pension mujor, hapa që sipas prindërve, nuk u ndërmorën apo propozuan nga autoritetet shqiptare.

Ajo çfarë mbetet mister për t’u sqaruar; ku dhe si është infektuar me HIV/AIDS një fëmijë 1 muaj të lindur nga prindërit pa SIDA, dhe mbi të gjitha kush mban përgjegjësi për këtë tragjedi?


Video