Gjykata e Posaçme i ka caktuar masën e sigurisë "arrest me burg" për ish-kryebashkiakun e Durrësit, Vangjush Dako. Ai akuzohet për veprën penale "shpërdorim detyre" në lidhje me një tender dhe lejen e një pallati.
Ka mbetur në burg edhe ndërtuesi Fiqiri Farrku dhe 5 zyrtarë të tjerë. Ndërsa, ka ndryshuar masa e sigurisë nga "arrest me burg" në "arrest shtëpie" për Ardian Bulkun, i akuzuar si person i dyshuar për kryerjen e figurës së veprës penale të “Fallsifikimi i vulave, stampave dhe formularëve” e kryer në formën e fallsifikimit të formularëve të miratuar nga personi që ka për detyrë hartimin e tyre në bashkëpunim.
Ndërsa për ish-juristen Diana Deda masa e sigurisë ka ndryshuar nga "arrest shtëpie" në "detyrim paraqitje".
Sipas SPAK, Vangjush Dako në bashkëpunim me ish-zyrtarët e tjerë “kanë legalizuar një objekt të ndërtuar para zbardhjes së lejes së ndërtimit, dhe jo sipas projektit të miratuar”.
Gjithashtu, bëhet me dije se ish-kryebashkiaku së bashku me drejtorin e firmës së ndërtimit, arkitekten dhe topografët kanë shpërdoruar detyrën, ku citohet se këta të fundit “nuk kanë pasqyruar në dokumentacionin tekniko-ligjor, të objektit të vërtetën në lidhje me kohën kur janë bërë punimet dhe është realizuar ndërtimi, duke bërë që këto akte të jenë të fallsifikuara në përmbajtje
Vangjush Dakon akuzohet se ka shpërdoruar detyrën në 2 raste. Në seancë Dako ka mohuar akuzat e SPAK. Përpara gjykatës ish-kryebashkiaku ka dhënë sqarime, në lidhje me tenderin për blerjen e projektit për zhvillimin e vijës bregdetare, nga zona e Brrylit deri në Currila, me pretendimin se nuk ka pasur dijeni dhe gjithçka ka qenë në dorën e specialistëve.
Sipas Dakos kjo procedurë prokurimi publik është zhvilluar nga specialistët dhe se ai nuk ka qenë në dijeni. Burime brenda seancës bëjnë me dije se kryebashkiaku ka thënë se nuk e ka shkelur në asnjë moment procedurën e prokurorimit për këtë tender. Ndërsa lidhur me lejen e pallatit, Dako është shprehur se nuk ka pasur dijeni se sa kate është pallati.