
Një shofer shqiptar 50-vjeçar është arrestuar në Francë, pasi autoritetet doganore zbuluan 114.6 kilogramë kokainë të fshehura në kamionin që ai drejtonte. Sasia e drogës u sekuestrua gjatë një kontrolli në pikën e pagesës së autostradës në Arles, në jug të Francës.
Sipas mediave franceze, kontrolli u krye gjatë natës mes 18 dhe 19 nëntorit, pasi efektivët e doganave ndaluan kamionin për verifikim rutinë. Mjeti ishte me targa italiane dhe transportonte mallra për një rrjet të madh tregtar.
Gjatë kontrollit, autoritetet zbuluan se në mbajtësen e bobinave të kamionit, e cila shërben për stabilizimin e ngarkesës, ishte fshehur një sasi e konsiderueshme lënde narkotike. Në total, u sekuestruan 114.6 kilogramë kokainë.
Pas arrestimit, shoferi iu dorëzua Zyrës së Luftës kundër Narkotikëve, në policinë gjyqësore në Marsejë, dhe më pas u la në paraburgim në pritje të daljes para gjykatës.
Gjatë marrjes në pyetje, 50-vjeçari ka mohuar akuzat, duke pretenduar se nuk kishte dijeni për drogën e fshehur në kamion dhe se ajo ishte vendosur aty pa dijeninë e tij. Sipas mediave franceze, ai nuk rezultonte i dënuar më parë dhe nuk ishte i njohur për drejtësinë franceze.
Shoferi pritet të përballet me akuzat për mbajtje, transport dhe importim të lëndëve narkotike, si dhe për transport të mallrave të ndaluara sipas legjislacionit doganor francez. Ai do të dalë para Gjykatës së Tarasconit në procedurë të përshpejtuar.