Venecia "zbarkon" në Tiranë për Reformën Zgjedhore, dy ekspertë të Komisionit takohen me Gjiknurin dhe Bylykbashin

26 Nëntor 2026, 13:19Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Venecia "zbarkon" në Tiranë për Reformën

Dy ekspertë të Komisionit të Venecias ndodhen në Tiranë për të asistuar Komisionin e Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore, të bashkëdrejtuar nga socialisti Damian Gjiknuri dhe demokrati Oerd Bylykbashi. Në fokus të punës së tyre pritet të jetë projektligji për financimin e partive politike dhe mënyra se si janë pasqyruar në draft rekomandimet e Venecias.

Vizita vjen pasi më 19 nëntor, kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, i drejtoi një ftesë Komisionit të Venecias për asistencë, pas dakordësisë së arritur mes dy bashkëkryetarëve.

Kur kanë mbetur vetëm katër ditë nga përfundimi i mandatit të komisionit, PS dhe PD nuk kanë gjetur ende gjuhën e përbashkët për zgjatjen e afatit të punës. Oerd Bylykbashi ka kërkuar shtyrjen e tij përtej 30 nëntorit, në mënyrë që ekspertët e Venecias dhe OSBE/ODIHR-it të përfundojnë punën, ndërsa kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, e ka kundërshtuar këtë kërkesë.

Bylykbashi ka kritikuar edhe mënyrën se si është formuluar shkresa drejtuar ekspertëve, duke kërkuar që asistenca të përfshijë të gjithë paketën e reformës, përfshirë çështjen e ndarjes së shtetit nga partia.

Socialistët dhe demokratët mbeten të ndarë edhe për mënyrën e zgjedhjes së deputetëve. PD kërkon lista 100 për qind të hapura, që qytetarët të vendosin me votën e tyre se cilët kandidatë marrin mandat, ndërsa PS e kushtëzon hapjen e plotë të listave me uljen e numrit të deputetëve nga 140 në 101.


Vox Pop

Video