Mashtruan të huajt me investime online, 3 të arrestuar në Kosovë, sekuestrohen mbi 1 milion euro pasuri!

26 Nëntor 2026, 11:41Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Mashtruan të huajt me investime online, 3 të arrestuar në

Tre persona janë arrestuar në Kosovë, nën dyshimin për përfshirje në një skemë mashtrimi me investime online, krim të organizuar dhe përfitim parash.

Operacioni u zhvillua më 25 nëntor në katër lokacione në Prishtinë dhe Fushë Kosovë, me urdhër të Gjykatës Themelore në Prishtinë. Aksioni u realizua nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Kibernetike, në bashkëpunim me njësi të tjera hetimore.

Sipas hetimeve paraprake, të dyshuarit përdornin komunikime elektronike dhe telefonike për të mashtruar persona të ndryshëm, kryesisht shtetas të huaj, duke i nxitur të investonin në platforma të rreme investimi. Përmes kësaj skeme dyshohet se u kanë shkaktuar viktimave dëme të konsiderueshme financiare.

Gjatë kontrolleve, autoritetet kanë sekuestruar pasuri me vlerë mbi 1 milion euro, konkretisht 19 automjete, një motoçikletë, gjashtë telefona celularë, pesë kompjuterë, gjashtë USB, si dhe 4,095 euro para të gatshme.

Gjithashtu, janë sekuestruar 11.28 gramë substancë e dyshuar narkotike dhe dokumente që konsiderohen me rëndësi për hetimin.

Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës bëjnë me dije se hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të skemës së mashtrimit dhe identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal.


Vox Pop

Video