
Ashtu siç paralajmëruan në fillim të muajit tetor përpunuesit dhe grumbulluesit, rritja e prodhimit të ullirit këtë vit po shoqërohet me rënie të lartë të çmimit të vajit të ullirit në grumbullim.
Në Belsh dhe Elbasan, çmimi i vajit ekstra i virgjër në grumbullim ka arritur 500 lekë për litër, nga 700 lekë vitin e kaluar apo 40% më lirë, ndërsa çmimi i paleverdishëm për eksport dhe kërkesa e ulët në vend po e çojnë grumbullimin drejt ndaljes. Nga ana tjetër në disa zona fermerët po refuzojnë të shesin me këto çmime dhe po zgjedhin ta mbajnë vajin në shtëpi.
Për situatën me vajin e ullirit Monitor kontaktoi me disa përpunues dhe grumbullues të zonave të ndryshme.
Në zonën e Belshit dhe të Elbasanit përpunuesit pohuan se vaji po grumbullohet me çmim 500 lekë për litër. Në zonën e Lushnjës çmimi i grumbullimit luhatet nga 500 deri 600 lekë për litër.
Vitin e kaluar përpunuesit u grumbullua me çmim deri 700 lekë për litër për vajin ekstra i virgjër. Krahasuar me vjet çmimit i vajit në grumbullim ka rënë 20 deri 40%.
Pse ka rënë çmimi në grumbullim?
Aldo Jolla përpunues, grumbullues, njëkohësisht edhe eksportues i vajit të ullirit tha për Monitor se shkak i rënies së çmimit nuk është mungesa e prodhimit, por mbyllja e tregut për eksport dhe rënia e fuqisë blerëse për tregun vendas.
Ai pohon se aktualisht çmimi i vajit rifuxho, të paambalazhuar për eksport prej grosistëve italianë po kërkohet me çmim 2.5 euro për litër.
“Me këtë çmim e kam të pamundur të grumbulloj vaj ulliri. Nuk kam se ku ta çoj më këtë çmim që vaji kërkohet për eksport. Ndërsa në tregun vendas fuqia blerëse ka rënë. Deri tani nuk kam grumbulluar asnjë sasi vaji. Nëse çmimi për eksport do të vijojë të qëndrojë në këto nivele, deri në përfundim të vjeljes nuk e shoh të leverdishme të grumbullojë asnjë pikë vaj ulliri”.
Jolla grumbullues dhe eksportues në zonën e Belshit thotë se çmimi i pafavorshëm për eksport po detyron fermerin që prodhimin ta kthejë mbrapsht, për ta mbajtur në shtëpi.
Situata paraqitet e njëjtë edhe për zonën e Elbasanit në nisje të sezonit të vjeljes së ullirit.
Agron Çakalli drejtues i Federatës Bujqësore të Elbasanit (F.E.B) në Elbasan tha për Monitor se sivjet prodhimi është i mbarë. Sipas tij rritja e prodhimit po ndikon në uljen e çmimit në grumbullim.
“Aktualisht për vajin ekstra i virgjër çmimi i grumbullimit arrin deri 500 lekë për litër. Vjet çmimi i grumbullimit ishte më i lartë arriti deri në 700 lekë litër. Çmimi i lartë u ndikua nga prodhimi i ulët. Sivjet prodhimi është më i lartë, kjo për shkak të natyrës ciklike të prodhimit të ullirit. Për rrjedhojë edhe çmimi është më i ulët”.
Por sipas Çakallit rënia e çmimit po ndikon te grumbullimi, i cili është drejt ndaljes.
Për shkak të kostos së lartë të prodhimit, që nga shërbimet dhe pagesat për vjelësit, shumë fermerë po refuzojnë ta shesin vajin për grumbullim, duke e kthyer mbrapsht në shtëpitë e tyre.
“Por kjo situatë pritet të demotivojë fermerin dhe vitin e ardhshëm t’i mos kryejë shërbim për ullirin. Duke qenë se kjo bimë ka periodizim të lartë prodhimi është e nevojshme që shteti të ndërhyjë me subvencionim të çmimit, sidomos për vajin ekstra të virgjër, në të kundërt rrezikojmë me lënien pas dore të ullishteve”, pohon z. Çakalli.
Si po ndikon prodhimi te çmimi i grumbullimit
Në 2024 sipas të dhënave të INSTAT u prodhuan 146,7 mijë ton ullinj. Krahasuar me 2023 sasi e prodhimit u rrit rreth 25%. Në 2024 rendimenti i prodhimit të ullirit arriti 15.2 kg për rrënjë. Në raport me 2023 rendimenti ishte me rënie 2.8 kg për rrënjë
Në 2024 çmimi mesatar i grumbullimit varionte nga 620 deri në 630 lekë për litër, nën kufirin prej 650 lekësh.
Në 2025 sipas të dhënave të INSTAT u prodhua një sasi prej 143,3 mijë ton ullinj. Krahasuar me 2024, prodhimi i ullinjve ra me 2.2%. Ndërsa rendimenti nga 15.2 kg për rrënjë era në 14.4 kg për rrënjë.
Në 2025 çmimi mesatar i grumbullimit u rrit me 11% arriti në 700 lekë për litër, e ndikuar nga tkurrja e prodhimit. Ndërsa në jug të vendit variteti “Kalinjot” u grumbullua edhe me çmim 1000 lekë për litër./Monitor