Skandal në Rusi, Mirlind Daku u sulmua nga tifozët e Zenitit

19 Gusht 2025, 13:14Sport SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Mirlind Daku

Një ngjarje antisportive ka ndodhur më 12 gusht në Shën Petersburg, gjatë ndeshjes Zenit–Rubin për fazën e grupeve të Kupës së Rusisë. Sulmuesi shqiptar Mirlind Daku u bë shënjestër e ofendimeve dhe thirrjeve fyese nga tifozët vendas, duke shkaktuar reagimin e Federatës Ruse të Futbollit.

Kreu i Komitetit të Disiplinës, Artur Grigoryants, tha për “RIA Novosti” se episodi do të shqyrtohet në mbledhjen e 20 gushtit.

Në ndeshje, Zeniti fitoi 3-0 ndaj Rubin Kazanit, ndërsa Daku shënoi një gol që u anulua nga VAR.

Në verë, Zeniti kishte shfaqur interes për transferimin e sulmuesit shqiptar, por marrëveshja nuk u arrit dhe klubi i Kazanit ia zgjati kontratën 27-vjeçarit.

Ndërkohë, emri i Dakut po lidhet gjithnjë e më shumë me Fiorentinën, pasi mediat italiane raportojnë interes konkret për të.

Në sfidën e fundit, ai nuk ishte protagonist si zakonisht: vetëm dy gjuajtje, një pozicion jashtë loje dhe katër duele të fituara nga 14. Trajneri i kundërshtarëve e pranoi se mbrojtja kishte marrë udhëzime të posaçme për ta ndalur.


Video