Spektakël dhe emocione pa fund në stadiumin Ethiad mes Manchester City dhe Liverpool, një finale e parakohshme për atë që u pa në fushë.
Manchester City-Liverpool është kthyer në ndeshjen më të bukur në planet, pavarësisht nëse dy skuadrat më të forta angleze përballen në kampionat, Champions apo në ndonjë duel Kupe. Në “Etihad Stadium” u zhvillua takimi për një biletë në çerekfinalet e Kupës së Ligës, raund në të cilin kaloi City pas triumfit 3-2.
Përballja ishte plot gola, madje nuk mungoi edhe tensioni. Erling Haaland zhbllokoi takimin në minutën e dhjetë, por “The Reds” barazuan me anë të Fabio Carvalho në një pjesë të parë fantastike. E tillë nisi edhe e dyta, Riyad Mahrez tundi rrjetën e ekipit mik, që reagoi menjëherë.
Darwin Nunez, i cili humbi disa raste në këtë ndeshje, kreu një sprint fantastik, la pas spanjollin Laporte dhe ia bëri të lehtë Momo Salah të barazonte një minuta pas avantazhit të “Cityzens”. Gjithsesi, kampionët në fuqi të Anglisë gjetën golin e fitores pas një ore lojë. Kevin De Bruyne regjistroi asistin e dytë duke gjetur Nathan Ake, i cili me kokë vulosi triumfin e City, që shkurorëzon Liverpoolin si fituesja në fuqi e EFL Cup.