Rama premton “Formula 1” në Elbasan: Nuk keni pse të trembemi nga një ëndërr tjetër

17 Qershor 2022, 20:40Sport SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Kryeministri Edi Rama

“Automotive Fair Albania”, edicioni i parë i panairit të makinave në Shqipëri është inauguruar mbrëmjen e sotme. I pranishëm në këtë aktivitet ka qenë edhe kryeministri Edi Rama i cili i ka ftuar të gjithë ta vizitojnë këtë hapësirë pasi sipas tij ka shumë mundësi për të kënaqur fëmijë dhe për të kaluar disa orë ndryshe në Tiranë.

“Ekspozohen gjëra tërheqëse, gjen hapësirë dhe një industri e cila po rritet dhe tek e cila ne besojmë dhe duam të shtyjmë dhe duam të shtyjmë të ardhmen e afërt që të krijojmë vende pune cilësore. Dua t’i ftoj ta vijnë ta vizitojnë këtë hapësirë ku ka shumë mundësi për të kënaqur fëmijët e të gjitha moshave dhe natyrisht për të kaluar disa orë ndryshe në një Tiranë që është më e pasur me aktivitete, ky aktivitet ka një profil të veçantë”.

Gjatë fjalës së tij, kryeministri Rama ka thënë se do vazhdohet puna për autoparkun e Elbasanit teksa ka premtuar edhe një garë të “Formula 1”.

“Ne do të vazhdojmë punën për autoparkun e Elbasanit me një sipërfaqe më të madhe dhe ku shpresojmë se ëndrra për të parë dhe një garë të Formula 1 në një të ardhme të arritshme na jep besim që të shkojmë përpara. Askujt nuk ia kishte marrë mendja se do të kishim në Tiranë një finale evropiane në futboll dhe nuk keni pse të trembemi nga një ëndërr tjetër si kjo e sjelljes së garave automobilistike në Shqipëri dhe të arritjes deri tek një garë e Formula 1 dhe një pistë e cila do të ketë të gjitha parametrat sepse është një projekt i bërë në bashkëpunim të ngushtë me FIA-n e cila mbulon dhe Formulën 1”, tha Rama.

Video