"I urrej disa nga armiqtë e mi dhe do t’i urrej gjithmonë", Trump flet për vdekjen: Nuk dua të shkoj në ferr!

9 Nëntor 2026, 15:25Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
"I urrej disa nga armiqtë e mi dhe do t’i urrej
Donald Trump

Presidenti amerikan Donald Trump ka folur për vdekjen dhe jetën pas saj, gjatë një interviste për emisionin e njohur amerikan “60 Minutes” në CBS, duke bërë deklarata të pazakonta për besimin fetar, parajsën, ferrin dhe urrejtjen ndaj kundërshtarëve të tij politikë.

Gjatë intervistës së transmetuar të dielën, më 8 nëntor, gazetari Ross Douthat e pyeti presidentin 80-vjeçar se çfarë mendon se do t’i ndodhë pas vdekjes.

Fillimisht Trump e interpretoi pyetjen si një referencë ndaj trashëgimisë që do të linte pas, duke u përgjigjur se shpresonte që njerëzit ta kujtonin dhe se besonte se kishte bërë një punë të mirë si president.

Por gazetari këmbënguli, duke i kërkuar të fliste për fatin e tij personal pas vdekjes, jo për mënyrën se si do të kujtohej.

“Shpresoj. Nuk dua të shkoj në ferr”, u përgjigj Trump, pasi shpjegoi se ishte njeri besimtar dhe se, sipas besimit të tij, mund të shkonte në parajsë.

Biseda mori më pas një drejtim edhe më interesant, kur gazetari e pyeti nëse presidenti do të ishte i gatshëm të falte kundërshtarët politikë për të hyrë në parajsë.

Douthat përmendi konkretisht ish-drejtorin e FBI-së, James Comey, dhe ish-kryetaren demokrate të Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi.

Gazetari i kërkoi Trumpit të imagjinonte një situatë në të cilën falja e armiqve do të ishte kushti i vetëm për të hyrë në parajsë.

Përgjigjja e presidentit amerikan ishte negative.

Trump i cilësoi kundërshtarët e tij si njerëz të pandershëm, që sipas tij i kishin shkaktuar dëme të mëdha vendit dhe e kishin përndjekur politikisht.

Edhe kur gazetari këmbënguli se falja ishte një parim themelor i krishterimit, Trump nuk ndryshoi qëndrim.

“Unë i urrej disa prej armiqve të mi dhe do t’i urrej gjithmonë”, deklaroi presidenti amerikan.

Trump argumentoi se një përgjigje pozitive do të ishte e lehtë për t’u dhënë, por nuk do të pasqyronte ndjenjat e tij të vërteta.

Pyetjet për vdekjen erdhën pasi gazetari i kujtoi presidentit se kishte mbijetuar nga disa tentativa atentati, përfshirë sulmin e korrikut 2024, kur një plumb e plagosi në vesh gjatë një tubimi elektoral në Pensilvani.

Në fund të bisedës, Trump u pyet edhe se si dëshironte të kujtohej presidenca e tij pas 100 vjetësh.

Presidenti iu rikthye sloganit të tij politik, duke thënë se dëshironte të mbahej mend si njeriu që e bëri Amerikën sërish të madhe.

Intervista, e realizuar në Shtëpinë e Bardhë dhe e transmetuar pas zgjedhjeve të mesmandatit, trajtoi gjithashtu humbjen e republikanëve, luftën me Iranin, Ukrainën dhe politikën amerikane të emigracionit.


Video