
Bastet e paligjshme sportive janë tema e momentit në Itali. Tanimë janë publikuar edhe emrat e tre futbollistëve të tjerë nga Serie A që janë të përfshirë në baste në platforma ilegale, duke fshehur të ardhurat.
Ky fenomen është diçka që ndalohet nga FIFA dhe UEFA për futbollistët, për mos thënë që është një ves që ka shkatërruar të rinjtë.
Stephan El Shaarawy (Roma), Federico Gatti (Juventus) dhe Nicolò Casale (Lazio) i bashkohen Tonalit, Fagiolit, Zaniolos dhe Zalewskit.
Është Fabrizio Corona, i njohur për mediet në Itali dhe tanimë pronar i një medie, që ka hedhur dritë mbi këtë skandal që ka përfshirë shumë skuadra.
Corona “kërcënon” se së shpejti do të dalin në pah shumë emra të tjerë nga bota e futbollit, të cilët janë të “sëmurë” pas basteve. Nicolo Fagioli pranoi fajësinë, bëri marrëveshje me prokurorinë dhe do të pezullohet 7 muaj.
Më shumë pritet të dënohet Sandro Tonali. Ish-mesfushori i Milanit pranoi se ka një varësi nga bastet sportive dhe se ka luajtur në skedinat e tij edhe takimet e kuqezinjve. Tani rrezikon një vit pezullim.