
Skuadrave të Premier League mund t’u ndalohen sponsorat e basteve në fanelat e tyre, nëse projektligji i qeverisë britanike do të kalojë për miratim.
Gjysma e 20 skuadrave të Premier League kanë emrat kompanish bastesh në bluzat e tyre, teksa qeveria britanike synon që të ashpërsojë ligjet kundër lojërave të fatit.
Aktivistët e kanë mirëpritur idenë, por besojnë se një ndalim do të ishte "jokoherent" nëse nuk zbatohej edhe për ekipet në të gjitha kategoritë e futbollit anglez.
Lëvizja do të pasonte një rekomandim nga një komitet i përzgjedhur i Dhomës së Lordëve në vitin 2020, i cili tha se klubet e Premier League duhet të përballen me një ndalim të sponsorizimit të fanellave, por klubeve të Championship duhet t'u jepet kohë për të hequr gradualisht partneritetet e tyre.
Klubeve u është dhënë kohë që të negociojnë dhe të gjejnë të tjerë sponsorë për të vendosur në fanelat e tyre.
Kjo do të thotë se ndalimi do të hyjë në fuqi për sezonin 2023-24 dhe jo më herët. Premier League ka thënë më parë se "një qasje vetërregulluese do të ofronte një alternativë praktike dhe fleksibël ndaj legjislacionit që i ndalon me forcë".
EFL, e cila sponsorizohet nga Sky Bet, thotë se ndalimi i sponsorizimit nga kompanitë e basteve do t'u kushtonte klubeve 40 milionë paundë në vit.
Një sondazh i fundit i YouGov tha se 1.4 milion njerëz në Britani kanë humbur gjithçka nga lojërat e fatit me 1.5 milion të tjerë në rrezik.