Një tifoz si Edi Rama nuk mund të mungonte në ceremoninë e ekspozimit të Kupës së Botës në ambientet e institucionit që ai vetë drejton.
“I jam mirënjohës njërit prej kampionëve të Brazilit, i cili e solli Kupën e Botës këtu. Kur e sheh nga afër duket sikur është bërë nga një skulptor italian dhe i bërë posaçërisht për Brazilin", tha Rama duke bërë batuta me brazilianin Zhilberto Silva, që shoqëronte trofeun e rëndësishëm.
"Askush më mirë se një kampion brazilian nuk mund të vinte këtu me kupën. Janë ditë të veçanta për doganën shqiptare, sepse për herë të parë u ndeshën me zhdoganimin e dy kupave, të botës të konferencës.
Janë nga ato halle që do të donim t’i kishim edhe më të shumta në të ardhmen. Edhe pse orët e qëndrimit janë sa gishtat e dorës, sepse më pas do vazhdojë udhëtimin e saj.
Uroj që sa më shumë futbolldashës të kenë mundësoi ta vizitojnë dhe uroj që garda mos t’u krijojë probleme. Shikoj që është edhe kapiteni ynë, Lorik Cana. Më thënë të drejtën, nuk e di kush është kapiteni ynë sot.
Të gjithë ata që e ndjekin Lorikun, janë si zëvendës të tij. Mbase vjen dita ta fitojmë edhe në një kupë”, tha ndër të tjera kryeministri Rama.
Kupa e Botës ka ardhur vetëm për disa orë në Tiranë, si pjesë e turit të ekspozimit të saj në vende të ndryshme të botës nga FIFA.