Ata që dashurojnë spektaklin duhet të kenë durim. Napoli nuk është i bukur, por është tejet cinik.
Napoli fiton me rezultatin minimal 1-0 ndaj Lecce-s në javën e nëntë të Serie A duke shkuar kështu +5 pikë nga Interi që luan të dielën kundër Juventusit.
Skuadra e Antonio Conte-s gjeti rrugën drejt rrjetës që në minutën e 26’ nga Di Lorenzo, por ai gol u anulua nga VAR për pozicion të parregullt.
U desh minuta e 73’, që kapiteni Di Lorenzo të realizonte sërish, por këtë herë në pozicion të rregullt dhe të zhbllokonte, por njëkohësisht edhe të vuloste këtë ndeshje.
Pavarësisht disa tentativave të dobta si nga Napoli ashtu edhe nga Lecce, në fund kjo ndeshje u mbyll me vetëm një gol.
Pas ndeshjes së javës së nëntë të Serie A, Napoli kryeson renditjen me 22 pikë, teksa Lecce vuan në vend të 19-të me pesë pikë.