Trajneri i Turqisë, Vincenzo Montella, vlerëson maksimalisht Kosovën dhe thotë se ekipin e tij e pret një ndeshje shumë e vështirë mbrëmjen e së martës në Fadil Vokrri.
“Kosova është me meritë të plotë në këtë finale të Play-Off-it. Ka bërë një fazë kualifikuese të shkëlqyer me shumë vazhdimësi. Ka futbollistë të shkëlqyer që respektojnë detyrat taktike. Është një skuadër shumë e rrezikshme dhe e shpejtë. Do të jetë një ndeshje e vështirë, por sigurisht që nuk mund të ishte ndryshe sepse jemi në një finale”, tha Vincenzo Montella, trajner i Turqisë.
Kapiteni i skuadrës, Hakan Calhanoglu, e pranoi presionin e madh që ka Turqia përpara kësaj sfide, por theksoi se nuk duhet ta nënvlerësojnë kurrë Kosovën.
“Unë jam nga ata që kurrë nuk i nënvlerësoj kundërshtarët. E kam nxjerrë këtë mësim nga Interi një muaj më parë kur na eliminoi Bodo Glimti. Kosova është skuadër e vështirë dhe e rrezikshme. Duhet ta respektojmë dhe të bëjmë gjithçka siç duhet në fushë”, tha Calhanoglu.
Turqia mungon në Botëror që prej vitit 2002 dhe do të ketë një test të vështirë përballë Dardanëve, që po jetojnë një ëndërr.
“Të gjithë e ndjejnë presionin. Kjo është një finale. Prej 24 vitesh nuk kemi shkuar, por shumica e lojtarëve tanë as nuk kishin lindur atëherë. Nëse nuk kemi shkuar për 24 vite, nuk janë ata përgjegjës. Këtë herë duam të shkojmë dhe do të bëjmë më të mirën për vendin tone”, tha ai.
Finalja e madhe e play off-it mes Kosovës dhe Turqisë zhvillohet nesër nga ora 20:45 në stadiumin “Fadil Vokrri”.