“Shikoni çfarë arrogance”/ Italia festoi për Bosnjen, tërbohen tifozët: Dikush t’iu thotë që kanë 4 yje mbi gjoks (VIDEO)

27 Mars 2026, 17:18Sport SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Festa e Italise

Italia mundi 2-0 Irlandën e Veriut dhe do të përballet të martën më 31 mars me Bosnjen e Edin Dzekos. Një kundërshtar që ndoshta  shpresonin ta përballeshin, duke gjykuar nga festa e treguar në një video që u bë menjëherë virale dhe u transmetua drejtpërdrejt nga Rai pas ndeshjes në Bergamo.

Pamjet treguan disa lojtarë të Italisë si Dimarco, Pio Esposito, Vicario, Meret dhe Tonali që në ambientet e brendshme të Gewiss Stadium qëndronin të ngjitur pas televizorit për të ndjekur penalltitë mes Uellsit dhe Bosnjës, pikërisht për të mësuar menjëherë kundërshtarin me të cilin Kombëtarja e Gattusos do të luajë për Botërorin.

Pas penalltisë së fundit të realizuar nga Bosnja, ishte menjëherë Dimarco që festoi së bashku me lojtarë dhe pjesëtarë të tjerë të stafit. Videoja është tashmë virale edhe jashtë vendit dhe në Bosnje flasin për mungesë respekti.

“Shikoni mungesën e respektit të italianëve. Dhe arrogancën e tyre. Ata festuan fitoren tonë me penallti: do ta marrim parasysh këtë në Zenicë”, thuhet në faqet boshnjake.

Për shumëkënd, ndjesia është që Italia donte pikërisht Bosnjën si kundërshtar, duke e konsideruar, me sa duket, më pak të fortë. Por dihet – dhe precedentët janë dy – në këto raste nuk duhen bërë llogari.

Ndërkohë gjatë transmetimit në Rai dhe në momentin kur u shfaqën këto pamje, Adani humbi durimin duke “qortuar” regjinë: “Kishit thënë të mos i tregonit”.

Momenti në transmetimin e drejtpërdrejtë në Rai

Pas ndeshjes, në lidhje mes fushës dhe studios ishin Alessandro Antinelli, Andrea Stramaccioni dhe më pas dy zërat e komentimit të Rai për Italinë: Alberto Rimedio dhe Lele Adani. Antinelli nis pamjet dhe shpjegon: “Dimarco dhe Pio Esposito i panë të gjitha” – para ndërhyrjes së Stramaccionit që komenton momentin e festës së Dimarcos – “Dhe ka skena…”. Në atë moment ndërhyn Rimedio që e ndërpret menjëherë opinionistin:

“Mos e themi, mos e themi, heshtje” – i ndjekur nga ndërhyrja e Adanit që “qorton” regjinë e Rai – “Djem, kishit thënë të mos i tregonit, pastaj i fokusoni kur festojnë, duhet të festojmë të martën”. Në fakt ndërhyrja e Adanit është mëse e drejtë dhe Antinelli përpiqet ta rregullojë situatën: “Lele kemi bërë 20 minuta televizion imagjinativ” – dhe kështu Adani e mbyll me një batutë – “Nuk ishte një moment i keq ky, duhet thënë që kanë qenë të zotë”.

Reagimi i ashpër

Reagimi nga bota për atë që ndodhi ka qenë mjaft i diskutueshëm. Shumë kanë kritikuar qëndrimin disi mendjemadh dhe sipërfaqësor të Italisë që me ato pamje lë të kuptohet qartë se preferonte Bosnjën ndaj Uellsit. Tifozët italianë të parët nuk e kanë kapërcyer atë imazh, duke thënë se “dikush t’i thotë atyre lojtarëve që festuan për Bosnjen se mbajnë 4 yje në gjoks”.

Një video që po prodhon efekt bumerang, duke motivuar edhe më shumë Bosnjën – pasi është shpërndarë nga shumë faqe që merren me futbollin boshnjak – e gatshme të tregojë se është në lartësinë e duhur. Pra, nëse me Suedinë ishte një autogol që eliminoi italianët, ky mund të konsiderohet si një tjetër autogol para kohe, përpara 90 minutave – ose më shumë – që i ndajnë nga Botërori pas dy mungesave radhazi.


Video