Për më tepër se 30 ditë me radhë Milan ka vijuar tratativat me Club Brugge për Ardon Jasharin e më në fund ka ardhur zgjidhja, me lojtarin që ka marrë dritën jeshile për t’iu bashkuar 7 herë fituesve të Champions League.
Takimi i fundit mes palëve ka qenë produktiv, ku drejtuesit e klubit belg kanë vendosur ta lënë të lirë mesfushorin që të transferohet në San Siro, ndërsa ky i fundit ishte kthyer edhe në seancat stërvitore.
Mes dy skuadrave është arritur akordi për vlerën e 38 milionë eurove në total që shkojnë në arkat e Club Brugge.
Jashari do të firmosë një kontratë 5-vjeçare me djallin, ndërsa në orët në vijim pritet të bëhet dhe zyrtarizimi i këtij transferimi. U desh një kohë e gjatë për të zbutur drejtuesit e Club Brugge e çuar në dakordësinë mes tyre.
Ishte vetë drejtori sportiv Igli Tare, ai i cili shprehu dëshirën për të afruar Jasharin dhe mori konfirmimin e drejtuesve.
Skema e kuqezinjve pritet të pësojë disa ndryshime me afrimin e Jasharit, pasi Milani mund të aplikojë dhe një 3-4-3, ku shqiptari të vendoset përkrah Luka Modriç e Loftus Cheek, megjithëse ende gjërat janë të paqarta, deri sa gjithçka të jetë zyrtare.