Një investim prej 150 milionë eurosh i djegur për Alexander Isak. Dhe bashkë me të paga prej rreth 345 mijë eurosh në javë, gati 18 milionë në vit: para të hedhura në erë në një çast. Në sezonin fatkeq të sulmuesit dhe të Liverpool, ajo shifër ka peshuar si një barrë që nga momenti kur lojtari shkeli në Anfield Road. Të gjithë prisnin gjëra të mëdha prej tij, por e vetmja gjë e madhe – për nga dhimbja, frika dhe zhgënjimi – është buletini mjekësor që ka sqaruar rëndësinë e dëmtimit të suedezit: është operuar për frakturë të dyfishtë në kyçin e këmbës dhe fibulë, të pësuar në ndeshjen e fundit kundër Tottenham. Operacioni ka shkuar mirë – bën të ditur klubi – por nuk ka asnjë afat për rikthimin. Nuk dihet.
Dhe kjo është përgjigjja për pyetjen që mundon Reds: “kur do të kthehet?”.
“Sulmuesi i Liverpool u dëmtua ndërsa shënoi golin e epërsisë kundër Tottenham Hotspur nga goditja e dënimit dhe u detyrua të zëvendësohej – thuhet në komunikatën zyrtare. Pas diagnozës, u krye ndërhyrja kirurgjikale për një dëmtim në kyç që përfshinte frakturë të fibulës. Rehabilitimi i Isak do të vazhdojë në AXA Training Centre, pa një datë të përcaktuar për rikthimin”.
Është një goditje shumë e rëndë, veçanërisht sepse vjen në një fazë delikate për skuadrën e Slot. Fati me Isak ka qenë vërtet mizor: u dëmtua pikërisht në momentin kur po shënonte gol. Klubi nuk është shprehur ende për kohëzgjatjen e rikuperimit, por sipas parashikimeve më optimiste ai nuk do të rikthehet në stërvitje para fundit të sezonit. Dhe është e pamundur që të jetë gati nëse Suedia kualifikohet për Botërorin 2026.
Çfarë do të bëjnë tani Reds?
Do të rikthehen në merkato në janar apo do të gjejnë zgjidhje të tjera? Sipas mediave angleze, Liverpool po vlerëson mundësinë e aktivizimit të klauzolës së lirimit të Semenyo nga Bournemouth: rreth 75 milionë euro, me afat deri më 10 janar. Alternativa tjetër është rikthimi i Harvey Elliott nga Aston Villa.