Lara Colturi shpallet kampione e botës: E lumtur që përfaqësoj Shqipërinë

20 Janar 2023, 13:32Sport SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Lara Colturi u shpall sot kampione e botës për të reja në ski, në Botërorin që po zhvillohet në Austri, duke i dhënë Shqipërisë një titull që deri pak kohë përpara do të ishte i pabesueshëm.

Vajza me origjinë italiane, pas triumfit shprehu të gjithë entuziazmin e saj.

“Jam e kënaqur me atë çfarë kam bërë gjatë këtyre dy ditëve dhe jam këtu për Shqipërinë. Ishte një vendim që e morëm në familje. Vendosëm që unë të përfaqësoja Shqipërinë, në mënyrë që të kisha gjithmonë me vete në konkurrimet e mia mamin dhe babin. Mami dhe babi më kanë ndihmuar me këshillat rreth garës dhe specifikat e pistës dhe më përgëzuan për fitoren”.

Ndërkohë nuk fsheh gëzimin edhe presidenti i Federatës Shqiptare të Skive, Elvis Toci. “Emocion i pabesueshëm, na dha një kënaqësi të paimagjinueshme, Lara na ngriti flamurin këtu në Austri”, u shpreh ai.  

Titulli botëror erdhi si një konfirmim i potencialit të jashtëzakonshëm që zotëron vajza e kampiones olimpike të Italisë, Daniela Ceçarelli.

Në ditën e parë të konkurrimit Lara Colturi u shpall kampione bote për moshat deri në 18 vjeç në ”Down Hill”, teksa në garën e dytë ajo mori vendin e parë në klasifikimin e përgjithshëm.

Skiatorja e talentuar do të konkurrojë edhe në garën e “gjigandit” më 21 janar dhe më pas do të paraqitet në Kronplatz, për ndalesën e radhës në Kupën e Botës.

Aty në datat 24 dhe 25 janar ajo do të marrë pjesë në dy gara, ku do të konsolidojë pozitat në Top 30 të kësaj disipline në Kupën e Botës.

Video