Mbrëmje festive për Interin, mund 3-0 Milanin dhe fiton Superkupën

18 Janar 2023, 22:23Sport SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Festa e Interit

Interi mposhti 3-0 Milanin në finalen e Superkupës së Italisë, duke fituar trofeun për herë të dytë radhazi dhe herë të shtatë në histori, po aq sa rivalët e Milanit.

Zikaltrit e Simone Inzaghit dominuan kampionët e Italisë dhe nuk e vendosën në asnjë moment në diskutim fitoren.

Interi e nisi ndeshjen në sulm dhe e pa veten në avantazh të dyfishtë brenda 21 minutave. Federico Dimarco zhbllokoi takimin (10’) pas një asisti nga Nicolo Barella, ndërkohë që Edin Dzeko realizoi një gol të bukur, pasi kreu një driblim dehës ndaj Sandro Tonalit.

Goli i tretë ishte edhe më i bukur. Minuta e 77’, stopim i bukur dhe rrotullim ndaj Fikayo Tomorit nga ana e Lautaro Martinez, i cili mposhti portierin Tatarusanu me një gjuajtje plot klas. Milani bëri gjithçka keq dhe e meritoi humbjen, ndërkohë që Interi nisi festën në stadiumin “King Fahd International Stadium”, Riad, Arabia Saudite. Kristjan Asllani u fut në fushë në minutën e 84’.

Video