“A u turpërua Reali?”, Ancelotti iu kthehet gazetarëve pas humbjes ndaj Barçës: Është mungesë respekti

16 Janar 2023, 09:35Sport SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Carlo Ancelotti

Trajneri i Real Madrid, Carlo Ancelotti, kritikoi gabimet e skuadrës së tij në humbjen 3-1 ndaj Barcelonës në Superkupën e Spanjës, por refuzoi ta konsideronte “turpërim” rezultatin e mbrëmjes të së dielës.

Kur u pyet nëse i dukej turpërim ajo që u pa në fushë, trajneri italian u përgjigj prerë:

“Është mungesë respekti ta thuash këtë. Kemi humbur ndaj Barcelonës, por i mundëm në kampionat. Luajtën më mirë dhe e merituan fitoren, kaq”.

Më tej, ai e analizoi kështu humbjen: “Bëmë dhurata në dy golat e parë. Ndeshja nisi e barabartë, pa shumë ritëm. Kur u zhbllokua rezultati, ata fituan më shumë besim. E para gjë që duhet të bëjmë, është të shmangim dhuratat për kundërshtarin, pastaj të luajmë si ekip. Gjithashtu, duhet të përmirësojmë formën”.

Barcelona fiton trofeun e parë të vitit dhe të parin për Xavin, teksa triumfoi 3-1 në “El Clasico” ndaj Realit të Madridit.

Në takimin e zhvilluar në Arabinë Saudite, Barcelona e meritoi fitoren duke treguar një lojë shumë më të mirë se Reali i Madridit.

Goli i parë i ndeshjes u realizua nga Gavi në minutën e 33-të, ndërsa në fundin e pjesës së parë, polaku Lewandowski shënoi edhe golin e dytë. Një tjetër talent, Pedri shënoi golin e tretë në minutën e 69-të, ndërsa Benzema realizoi në minutën e 93-të.

Video