Komiteti Olimpik i Kosovës tha të shtunën se ekipi përfaqësues i pingpongut nuk është lejuar të marrë pjesë me të drejta të barabarta në Kampionatin Europian të Pingpongut U-21 të mbajtur në Beograd të Serbisë.
Në një njoftim të Komitetit Olimpik të Kosovës thuhet se politika serbe po vazhdon të përzihet në sport, duke diskriminuar sportistët e Kosovës.
“Kemi qenë në kontakt të vazhdueshëm me Federatën e Pingpongut të Kosovës gjatë procesit të pjesëmarrjes në Evropian, për çka dënojmë veprimin e radhës të përzierjes së politikës serbe në sport, e që nuk është rasti i parë, kur bëhet fjalë për sportistët tanë”.
Komiteti Olimpik tha se shpreson që “Federata Europiane e Pingpongut (ETTU), të marrë masat e nevojshme ndaj organizatorit të evropianit, në këtë rast Serbisë, me besimin se diskriminimet e tilla do të marrin fund një herë e përgjithmonë”, thuhet në reagim.
Edhe Federata e Pingpongut e Kosovës përmes një reagimi tha se moslejimi i pjesëmarrjes së Kosovës në Kampionatin Europian për të Rinj me të drejta të barabarta sikurse çdo anëtar tjetër i Federatës Europiane të Pingpongut, përbën shkelje të rëndë dhe se do të përdorë mjetet juridike në të gjitha mekanizmat gjyqësore sportive.
Autoritetet në Serbi nuk kanë dhënë ndonjë sqarim për këtë çështje. Vendimi i autoriteteve serbe nxiti reagime të ashpra të autoriteteve në Kosovë sipas të cilëve ndalimi ishte i papranueshëm.