
Pas fitores historike 1-0 të Shqipërisë ndaj Serbisë, sulmuesi i Kombëtares, Myrto Uzuni në një prononcim për DigitAlb nuk la pa përdorur edhe shprehjen virale “a jemi live” të një tifozi shqiptar.
“Kur thirresh nga Kombëtarja, duhet të jesh i gatshëm dhe për këtë komb jam i gatshëm edhe të vdes në fushë madje.
Nuk më intereson se ku luaj si pozicion, qoftë edhe si mbrojtës i djathtë. Në pjesën e dytë kisha një kundërshtar shumë të fortë, Pavloviç, që luan te Milani, por dhamë maksimumin dhe arritëm një fitore të madhe.
Nuk dija gjë që do isha në formacion, nuk kishte marrëveshje me Sylvinhon, thjesht bëra punën time për Kombëtaren gjatë gjithë javës përgatitore që të isha i gatshëm. Jam profesionist dhe përgatitem për çdo ndeshje… dhe “A jemi live?”
Të luaja në Kupën e Botës në Amerikë, atje ku po luaj tani, do ishte përrallore”, tha Uzuni.
Ndërsa Armando Broja duke shprehur emocionet e mëdha pas këtij triumfi të rëndësishëm për kuqezinjtë.
“Besoja se do ia dilnim”, tha Broja, duke theksuar besimin dhe përgatitjen që skuadra kishte për këtë përballje.
“Që kur erdhëm, të gjithë ishim të motivuar, të gjithë ishim në një mendje për ta fituar ndeshjen, dhe sot e arritëm fitoren”.
Broja vlerësoi lart paraqitjen e ekipit.“Kemi luajtur shumë mirë, u mbrojtëm shumë mirë”, u shpreh ai.
Sulmuesi nuk e fshehu gëzimin e tij për këtë sukses. “Unë jam shumë i gëzuar”.
Ai e përshkroi takimin si një ndeshje të vështirë, por theksoi se vendosmëria e lojtarëve bëri diferencën. “E dinim që ishte ndeshje e vështirë, por ne ishim të vendosur për fitore”.