Pak para sfidës të shumëpritur mes Serbisë dhe Shqipërisë, zëvendës trajneri i Kombëtares, Ervin Bulku, ka folur për zgjedhjet në formacionin kuqezi, duke dhënë edhe arsyet pse është preferuar Myrto Uzuni në repartin ofensiv.
Në intervistën për Klan Kuq e Zi, Bulku theksoi rëndësinë e takimit dhe nevojën që lojtarët të japin maksimumin.
“Mendoj se është një ndeshje shumë e rëndësishme. Me rëndësi është që të luajmë për fitore dhe të bëjmë maksimumin”, tha ai.
I pyetur për zgjedhjen e Uzunit si titullar, Bulku sqaroi se vendimi është marrë nga trajneri, duke vlerësuar kontributin që sulmuesi ka dhënë ndër vite.
“Trajneri ka vendosur që të jetë Uzuni nga minuta e parë. Uzuni është një golashënues, është lojtar që ka dhënë gjithmonë më të mirën”.
I pyetur se përse Arbër Hoxha nuk është në formacionin startues, Bulku theksoi se të gjithë lojtarët janë të rëndësishëm dhe gati për të dhënë kontributin e tyre.
“Arbër Hoxha ka tre apo katër javë që është në super formë, por mendoj se është një zgjedhje e trajnerit. 23 lojtarët që janë në protokollin e ndeshjes janë të gjithë të rëndësishëm”.
Në fund, zv.trajneri i Kombëtares theksoi se objektivi është fitorja.
“E rëndësishme është që skuadra të jetë në ekuilibër për 90 minuta dhe të përpiqemi të arrijmë fitoren”, përfundoi Bulku.