Mesut Ozil deklaroi se kishte plotësuar një ëndërr fëmijërie kur u transferua te Fenerbahce në janar të 2021, por qëndrimi në Turqi është kthyer në një makth dhe ai është përjashtuar nga skuadra. Fituesi i Kupës së Botës 2014 ndërpreu kontratën me Topçinjtë para 2 vitesh dhe u bashkua me klubin turk.
Megjithatë, ai e ka parë të vështirë përshtatjen në Stamboll dhe tani e gjen veten jashtë planeve të trajnerit. Në një deklaratë të shkurtër nga Fenerbahce e publikuar në faqen zyrtare të klubit, shkruhet se Ozil është përjashtuar nga skuadra. Shkaqet e përjashtimit të Ozilit ende nuk janë bërë të ditura, teksa është folur për krisje të raporteve për shkak të pagesave të parregullta dhe kritikave të lojtarit për drejtuesit.