Raphinha është kthyer në një lojtar kryesor Barcelona dhe te Brazili, por karriera e tij mund të kishte marrë një drejtim tjetër 5 vite më parë.
Sulmuesi 28-vjeçar ka zbuluar se ishte pranë kalimit te kombëtarja e Italisë.
Në një intervistë të dhënë së fundmi, Raphinha deklaroi se u kontaktua nga Federata Italiane para Euro 2020 dhe kishte pranuar të përfaqësonte “axurët”, për shkak të nënshtetësisë italiane të babait të tij.
Raphinha zbulon se kishte dhënë miratimin, por gjithçka ndryshoi sepse pasaporta nuk doli në kohë, për të luajtur me Italinë.
“Isha afër pranimit të ftesës nga Italia. Synimi ishte që të shkoja në Europianin e vitit 2020, të cilin ata e fituan. Në thelb kisha pranuar dhe isha gati të shkoja. Për fat të mirë, pasaporta nuk doli në kohë, ndonëse kisha telefonata të shumta nga kombëtarja italiane. Jorginho më kontaktonte gjatë gjithë kohës. Italianët kishin një plan të shkëlqyer për mua, i cili më bindi. Megjithatë, thellë-thellë ende shpresoja që të vishja fanellën e Brazilit. Për fat të mirë pasaporta italiane nuk doli në kohë dhe kalova te Brazili”, tha Raphinha.
Sezoni aktual është më i miri në karrierë për brazilianin, i cili numëron 52 paraqitje me fanellën e Barcelonës, ku ka shënuar 31 gola dhe ka dhënë 25 asiste.