Dëmtim i rëndë për Ardon Jasharin, pritet të mungojë disa muaj te Milani

28 Gusht 2025, 17:40Sport SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Ardon Jashari

Lajme të këqija për Milan dhe Ardon Jasharin në prag të ndeshjes jashtë fushe ndaj Lecces. Kuqezinjtë kërkojnë të rikuperohen pas humbjes së parë në kampionat në shtëpi ndaj Cremoneses, por gjatë seancës së fundit stërvitore, mesfushori Ardon Jashari pësoi një dëmtim serioz pas një përplasjeje me Gimenezin.

Lajmin e bëri me dije vetë trajneri Massimiliano Allegri, duke shprehur shqetësim për gjendjen e lojtarit zviceran.

Sipas raporteve fillestare, goditja në fibulë duket e rëndë dhe ekziston frika se Jashari mund të ketë pësuar një frakturë që mund ta mbajë jashtë fushave të lojës për disa muaj.

Në orët në vijim pritet që Milani të marrë rezultate më të sakta nga ekzaminimet mjekësore, por në këtë fazë klubi duket i detyruar të aktivizohet në tregun e transferimeve.

Mes emrave që po konsiderohen janë Adrien Rabiot, si një alternativë e mundshme për të mbushur boshllëkun në mesfushë, ndërkohë që situata e interesit për Musah nga Atalanta mbetet në dyshim, duke rrezikuar që Milani të heqë dorë nga oferta për mesfushorin e talentuar.

Për Massimiliano Allegrin dhe tifozët kuqezinj, kjo është një sfidë e re që kërkon menaxhim të kujdesshëm dhe vendime strategjike për të mos humbur ritmin në kampionat.


Video