Arsenali shkatërron Bajern, Atletico befason Interin në fund, Liverpool-i turpërohet nga PSV-ja, Mbappe shkëlqen me poker

26 Nëntor 2025, 23:12Sport SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Arsenali shkatërron Bajern

Një natë e çmendur ishte e mërkura në Champions League, ku në total u shënuan 42 gola.

Arsenali ka marrë një fitore spektakolare përballë Bayernit të Mynihut me rezultatin 3-1.

Takimi i luajtur në Londër nisi në mënyrën më të mirë për “Topçinjtë” e Artetës, të cilët kaluan në avantazh në minutën e 22’ me anë të Timber. Pas 10 minutash, ishte Karl i cili riktheu baraspeshën, me pjesën e parë që u mbyll 1-1. Në minutën e 69’, Noni Madueke shënoi golin e parë për Arsenalin, duke kaluar për herë të dytë në avantazh “Topçinjtë” dhe pas 6 minutash, Martinelli përfitoi nga një gafë e Neuer dhe shënoi edhe golin e tretë.

Me këtë fitore, Arsenali udhëheq tabelën e renditjes me pikë të plota, me asnjë rival pranë vetes, ndërsa Bayerni merr humbjen e parë sezonale.

Atletico e Madridit ka marrë një fitore në frymën e fundit përballë Interit me rezultatin 2-1.

Sfida e luajtur në “Metropolitano” nisi më mirë për vendasit, të cilët kaluan në avantazh që në minutën e 9’ me anë të Julian Alvarez. Zikaltërit u zgjuan në pjesën e dytë, të cilët rikthyen baraspeshën me anë të Zielinskit në minutën e 54’. Atëherë kur gjithçka mendohej se po shkonte drejt fundit, ishte Gimenez i cili shtangu zikaltrit, duke rrëmbyer tre pikët.

Rezultati më surprizues ishte disfata e Liverpool-it brenda në shtëpi nga holandezët e PSV-së me rezultatin e thellë 1-4.

Nga ana tjetër, Reali i Madridit mundi me vuajtje në Greqi Olympiacosin me rezultatin 3-4, ku të katërt golat u shënuan nga Kylian Mbappe.

Një fitore spektakolare e arriti edhe PSG, e cila mundi 5-3 ekipin e Tottenham.

Në sfidat e tjera, Atalanta e Gjimshitit mundi 0-3 Frankfurtin, ndërsa Sporting mposhti 3-0 Club Brugge.

Rezultatet:

Copenhagen 3-2 Kairat Almaty

Pafos 2-2 Monaco

Arsenal 3-1 Bayern Munchen

Atletico Madrid 2-1 Inter

Frankfurt 0-3 Atalanta

Liverpool 1-4 PSV

Olympiacos 3-4 Real Madrid

PSG 5-3 Tottenham

Sporting 3-0 Club Brugge


Video