Supersfida e raundit të shtatë në Champions League mes Interit edhe Arsenalit është mbyllur 1-3 për londinezët. “Topçinjtë” gjetën të parët avantazhin që në minutën e 10-të. Pas një aksioni model, goditja e Jurrien Timber devijohet nga Gabriel Jeus dhe përfundon në portën e Yann Sommer. Petar Sucic barazoi shifrat për zikaltrit në minutën e 18-të me një goditje të fuqishme në kufijtë e zonës së rreptësisë. Në minutën e 31-të, pas një goditje këndi nga Bukayo Saka, Leandro Trossard asiston me kokë, Gabriel Jesus mposht me kokë Sommer, për herë të dytë. Pjesa e parë mbyllet 0-1 për Arsenalin.
Viktor Gyokeres, i futur në pjesën e dytë vulosi fitoren e londinezëve me golin e tij në minutën e 83-të. Suedezi shënoi pas një kunderuslmi të shpejtë, falë një goditje të fuqishme nga kufijtë e zonës së rreptësisë.
Në Londër, Tottenham fitoi 2-0 ndaj Dortmundit. Për vendasit shënoi Cristian Romero në minutën e 15-të, mbrojtësi u tregua i saktë me një goditje të lehtë brenda zonës. Verdhezinjtë mbetën me një lojtar më pak që nga minuta e 24-të, për shkak të kartonit të kuq të Daniel Svensson, për faull të rëndë ndaj Odobert.
Në minutën e 38-të, Dominic Solanke shënoi golin e dytë për londinezët. Sulmuesi shënoi me finte, pas asistit të Odobert. Rezultati nuk ndryshoi deri në fund. Tottenham fiton 2-0 dhe momentalisht renditet i pesti, Dortmund në vendin e 11-të.
Surpriza e mbrëmjes vjen nga Lisbona, aty ku Sporting fitoi 2-1 ndaj PSG-së, kampionit në fuqi të Europës. Vendasit kaluan të parët në avantazh falë golit të Luis Javier Suarez në minutën e 74-të. Reagimi i parizienëve ishte i menjëhershëm duke barazuar shifrat me Khvicha Kvaratskhelia në minutën e 78-të, gjeorgjiani shënoi një gol tejet të bukur me një goditje klasi. Në shtesë shënoi sërish Luis Suarez, duke iu dhënë fitoren e madhe portugezëve.
Napoli rrezikon shumë në Champions League, pas barazimit 1-1 në transfertën ndaj Copenhagen. Për italianët shënoi i zakonshmi Scott McTominay në minutën e 39-të, skocezi u tregua i saktë në goditje me kokë pas një topi të ardhur nga këndi. Vendasit luajtën me një lojtar më pak që nga minuta e 35-të, Delaney u ndëshkua me karton të kuq për ndërhyrje të rrezikshme ndaj kundërshtarit. Barazimi i vendasve erdhi në minutën e 72-të me Jordan Larsson, i cili pasi gaboi nga pika e bardhë e penalltisë, e korrigjoi direkt gabimin, duke dërguar në rrjetë topin e kthyer mbrapsht nga pritja e portierit Milinkovic-Savic. Penalltia u shkaktua nga ndërhyrja e gabuar në zonë e Alessandro Buongiorno ndaj Mohamed Elyounoussi. rezultati final, 1-1. Të dyja ekipet momentalisht ndajnë vendin e 23-të dhe të 24-të, duke rrezikuar shumë për play-offin.
Olympiacos ka marrë po ashtu një fitore shumë të rëndësishme në garën për të siguruar një biletë në play-off. Grekët fituan 2-0 ndaj Leverkusen. Costinha shënoi me kokë që në minutën e dytë, pas krosimit nga goditja e këndit. Taremi dyfishoi shifrat në fund të pjesës së parë.
Real Madrid bind në “Santiago Bernabeu”, pas fitores 6-1 ndaj Monaco, në ndeshjen e parafundit për këtë fazë në Champions League. Francezët u ndëshkuan nga ish-sulmuesi i tyre, Kylian Mbappe, që në minutën e 5-të, i cili shënoi pas asistit të Federico Valverde. Mbappe kërkoi “ndjesë” tifozëve të Monaco të pranishëm në stadium, për golin e tij. Në minutën e 26-të, një aksion model i madrilenëve, Arda Guler pason për Vinicius Junior, braziliani për Mbappe, francezi shënon golin e dytë personal dhe të dytin të takimit. Pjesa e parë mbyllet 2-0 për madrilenët.
Real Madrid e nis po ashtu mjaft mirë edhe pjesën e dytë. Në minutën e 51-të, pas një asisti të bukur të Vinicius Junior, i dyti në këtë takim për brazilianin, Franco Mastantuono dërgon topin në rrjetë. Një gol çlirimi për argjentinasin, pas një periudhe të vështirë që ka kaluar kohët e fundit.
4 minuta më pas, sërish protagonist bëhet Vinicius Junior, ku topi i futur nga braziliani në zonë, devijohet në portën e tij nga Thilo Kehrer. Në minutën e 63-të, ishte radha e Vinicius Junior për të shënuar. Braziliani i cili shkëlqeu sonte, shënoi pas një asisti të Arda Guler dhe një veprimi të bukur të tij në zonë dhe më pas goditja e fuqishme që përfundoi në kuadrat.
Në minutën e 72-të, Monaco shënoi golin e nderit me Jordan Teze, pas një gabimit trashanik në zonë të Dani Ceballos. Në minutën e 81-të ishte radha e Jude Bellingham për të gjetur rrjetën. Rezultati final 6-1. Në ndeshjen e fundit, Ajax fitoi në transfertë 1-2 ndaj Villarreal.