“6 muaj, 10 gola dhe rinovoj”, zbulohet prapaskena e dështimit të transferimit të Icardit te Juventusi

2 Shkurt 2026, 20:37Sport SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Mauro Icardi

Pavarësisht dëshirës së madhe të Mauro Icardit për t’u rikthyer në Serinë A, transferimi i tij te Juventusi nuk u konkretizua në ditën e fundit të merkatos.

Sipas “Tuttosport”, sulmuesi argjentinas u kishte dërguar një mesazh të qartë drejtuesve bardhezi, duke premtuar të paktën 10 gola në gjashtë muaj në këmbim të konfirmimit për sezonin e ardhshëm.

Ky mesazh tregonte gatishmërinë e tij për të lënë pas të shkuarën zikaltër dhe divergjencat e vjetra me trajnerin Spalletti. Megjithatë, pengesa kryesore doli të ishte klubi i Galatasaray-t.

Presidenti Dursun Ozbek kërkoi 15 milionë euro për kartonin e 33-vjeçarit, kontrata e të cilit skadonte pas gjashtë muajsh.

Kjo kërkesë e lartë erdhi kryesisht nga frika se Icardi mund të ndëshkonte pikërisht turqit në përballjen e ardhshme në play-off të Champions League, ku Juventusi do të ndeshet pikërisht me Galatasaray-n.

Përballë kësaj shifre dhe pamundësisë së një huazimi, Juventusi u tërhoq përfundimisht nga bisedimet.


Video