Benzema poshtërohet nga Al-Ittihad, i propozojnë një pagë të papërfillshme, refuzon të luajë

30 January 2026, 19:52Sport SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Benzema poshtërohet nga Al-Ittihad, i propozojnë një pagë
Karim Benzema

Karim Benzema mund ta mbyllë shpejt eksperiencën e tij në Arabinë Saudite te Al-Ittihad, e nisur në vitin 2022.

I ardhur si fitues i Topit të Artë mes fishekzjarrëve dhe një stadiumi plot për ta pritur, ish-sulmuesi i Real Madrid tani po mendon seriozisht rikthimin në Europë. Shkaku lidhet me një propozim të pashpjegueshëm rinovimi kontrate nga vetë klubi saudit.

Sipas L’Equipe, lojtari – me kontratë në skadencë më 30 qershor – priste një telefonatë për rinovim. Telefonata dhe thirrja erdhën vetëm pesë ditë para mbylljes së merkatos dhe e lanë të befasuar atë dhe rrethin e tij. Propozimi u konsiderua “i papërfillshëm”, sepse parashikonte praktikisht të “luante falas”, duke lënë të pandryshuara vetëm të drejtat e imazhit.

Siç raportohet nga Foot Mercato, Benzema ka nisur të mendojë largimin dhe një rikthim të mundshëm në Europë.

Një reagim që ka vënë në vështirësi Al-Ittihad, drejtuesit e të cilit ndihen të pafuqishëm përballë situatës. Një goditje e rëndë për skuadrën e Sergio Conceiçao, që rrezikon të humbasë kapitenin dhe një nga protagonistët kryesorë të dopietës kampionat-kupë sezonin e kaluar.

Lojtari është ndier i fyer nga propozimi, duke pritur më shumë respekt për të kaluarën dhe për kontributin e tij aktual.

“Jam pjesë e projektit, jam në vendin e duhur”, kishte deklaruar Benzema një muaj e gjysmë më parë për L’Équipe, duke treguar vullnet për të vazhduar në Arabinë Saudite. Por gjithçka ndryshoi brenda pak sekondash.


Video