"Sekretari ka rrogën më të lartë se kryetari", kreu i Konkurrencës kërkon më shumë para!

5 November 2026, 15:36Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
"Sekretari ka rrogën më të lartë se kryetari",
Denar Biba dhe sekretari i tij në Komisionin e Nismave

Afro 126 milionë lekë janë të pamjaftueshme për Autoritetin e Konkurrencës, i cili kërkon shtesë në staf dhe ambiente të reja për të këtë institucion.

“Nga struktura jonë me 49 persona, kemi rekrutuar një pjesë dhe jemi me 53 punonjës, mbetet kërkesa jonë për 5 punonjës shtesë. Në kërkesat buxhetore kemi paraqitur 16.1 milionë lekë shtesë për paga dhe 1.7 milionë lekë për punonjës”, tha Biba.

Në komisionin e Nismave, Denar Biba, ka ngritur shqetësimin e pagave në këtë institucion. 

“Dua të sjellë në vëmendjen tuaj mungesën e ambienteve, dhe historinë e trajtimit financiar të anëtareve të Komisionit të Konkurrencës. Mund të duket banale por vetëm ashtu nuk është. Kolegu im këtu në krah “sekretari i përgjithshëm i Autoritetit të Konkurrencës”, e ka pagën më të lartë se unë që jam kryetar i Autoritetit të Konkurrencës. Dhe të gjithë drejtorët e Autoritetit të Konkurrencës e kanë pagën  më të lartë se anëtarët e komisionit, megjithëse të vetmit firmëtar që mbajmë përgjegjësi ligjore, jemi ne anëtarët e komisionit”, tha Biba.

“Nuk më bën sens fare kjo çështja e pagave, është e papranueshme, ose ulni pagat. Ka një hierarki pagash, duhet të rregullohen”, tha kryetari i komisionit Fatmir Xhafaj. “E kemi përcjellë këtë shqetësim për pagat tek institucioni përkatës, nuk është në tagrin tonë”, tha Vilma Çausholli nga Ministria e Financave.


Video