Sekreti për të mbajtur trurin të ri? Mjafton të vëzhgoni zogjtë

3 November 2026, 17:47Lifestyle SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Sekreti për të mbajtur trurin të ri? Mjafton të

Vëzhgimi i zogjve apo birdwatching mund të ketë përfitime të rëndësishme për shëndetin e trurit, duke ndihmuar në ruajtjen e kujtesës, përmirësimin e përqendrimit dhe ngadalësimin e rënies së aftësive njohëse.

Për këtë arsye, kjo veprimtari po përdoret gjithnjë e më shumë edhe në programe që synojnë të ndihmojnë personat me demencë.

Studimet tregojnë se njerëzit që merren prej vitesh me vëzhgimin e zogjve kanë dallime në mënyrën se si funksionon truri i tyre. Një kërkim i drejtuar nga Erik Wing, në Akademinë Baycrest në Toronto, krahasoi përmes rezonancës magnetike trurin e vëzhguesve me përvojë me atë të personave që nuk kishin njohuri të veçanta për zogjtë. Rezultatet treguan se te vëzhguesit me përvojë, zonat e trurit që lidhen me vëmendjen, perceptimin pamor dhe identifikimin e objekteve funksiononin në mënyrë më të organizuar.

Sipas studiuesve, këto ndryshime mund të lidhen me neuroplasticitetin, aftësinë e trurit për t’u përshtatur dhe krijuar lidhje të reja. Kjo ngre mundësinë që përfshirja në aktivitete që kërkojnë vëmendje dhe përqendrim të ndihmojë në ruajtjen e funksioneve njohëse edhe me kalimin e moshës. Megjithatë, kërkohen studime të mëtejshme për të kuptuar plotësisht këtë lidhje.

Përfitimet nuk lidhen vetëm me njohuritë për zogjtë apo nivelin e ekspertizës. Një studim polak me 388 vëzhgues tregoi se rëndësi të veçantë ka edhe interesi personal dhe kënaqësia që njerëzit marrin nga kjo veprimtari. Sa më shumë kuptim dhe entuziazëm të përjetonin pjesëmarrësit, aq më të mëdha ishin përfitimet e raportuara për mirëqenien psikologjike.

Edhe në Gjermani, vëzhgimi i zogjve është përfshirë në programe për personat që jetojnë në shtëpi kujdesi. Vendosja e ushqyesve për zogjtë në 65 institucione u shoqërua me përmirësime në përqendrim, kujtesë, lëvizshmëri dhe mirëqenie. Banorët nisën të ndiqnin më me vëmendje aktivitetin përreth, të njihnin zogjtë dhe të komunikonin më shumë me familjarët. Pas rezultateve pozitive, disa kompani sigurimesh shëndetësore investuan në krijimin e hapësirave të posaçme për vëzhgimin e zogjve në qindra shtëpi kujdesi në Bavari.

Programe të ngjashme janë zhvilluar edhe në Shtetet e Bashkuara, ku ushqyesit e zogjve dhe lodrat që imitojnë tingujt e tyre përdoren për të nxitur ndërveprimin dhe kujtesën te personat me demencë. Ndërkohë, në Universitetin e Montanës, vëzhgimi i zogjve është përfshirë në aktivitete për personat që po rikuperohen nga goditjet në tru dhe kanë vështirësi në të folur.

Studiuesit shpjegojnë se kjo veprimtari ndërthur disa elemente të rëndësishme për trurin: vëmendjen, kuriozitetin, emocionet, lëvizjen dhe komunikimin me të tjerët. Për më tepër, nuk kërkon pajisje të veçanta apo udhëtime në natyrë, pasi mund të praktikohet edhe nga dritarja e shtëpisë.

Vëzhgimi i zogjve mund të jetë kështu një mënyrë e thjeshtë për të nxitur aktivitetin mendor dhe për të forcuar lidhjen me natyrën, duke sjellë përfitime për kujtesën dhe mirëqenien në çdo moshë.

 


Video