Vetingu në politikë, ISP i përgjigjet Kuvendit: Bëhet edhe pa ndryshuar Kushtetutën

7 February 2022, 20:12Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Vetingu në politikë, ISP i përgjigjet Kuvendit: Bëhet edhe

Ideja e kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, për vetingun në politikë gjen mbështetjen e Institutit të Studimeve Politike, por drafti nuk e bind mjaftueshëm.

Në përgjigjen me shkrim drejtuar Kuvendit, ISP thekson se është pro vetingut të politikanëve ndërsa shpjegon se ku çalon propozimi i prezantuar nga opozita.

“ISP vlerëson se nisma kushtetuese e 39 deputetëve, megjithëse ka meritën se nxit procesin drejt një debati institucional dhe publik në mbështetje të vetingut në politikë, – mbetet e paplotë, e paqëndrueshme në formë e përmbajtje, pa mekanizma garancie dhe e motivuar më shumë për nevoja politike ditore, sesa për një zgjidhje të qëndrueshme dhe afatgjatë”, thotë Instituti i Studimeve Politike.

Sipas ISP, jetëzimi i kësaj nisme nuk ka nevojë për ndryshime kushtetuese, mjafton një reformë e thellë në legjislacionin ekzistues.

”ISP vlerëson se zgjidhja për vetingun në politikë mund të mundësohet brenda kuadrit të sotëm kushtetues, përmes reformimit rrënjësor të legjislacionit ekzistues për partitë politike, jetësimit integral të dekriminalizimin, reformimit të legjislacionit zgjedhjet dhe të instrumenteve të kontrollit pasuror, duke krijuar mekanizma funksionalë dhe të besueshëm verifikimi të hershëm dhe të përgjegjësisë konkrete ligjore në rast shkeljeve”, thekon Instituti i Studimeve Politike.

Detyrimi me ligj i partive për të ngritur mekanizma të brendshëm sa i përket integritetit, financimit dhe penalizimit të kujt mbështet individë me rekorde kriminale, gjen gjithashtu mbështetjen e ISP.


Video