Veliaj flet për drejtorët dhe zyrtarët e arrestuar: I larguam! Organizata jonë, më e rëndësishme se 1 apo 2 persona

3 Prill 2024, 19:31Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj

Kryebashkiaku i Tiranës ka reaguar për herë të parë pas aksionit të madh të SPAK që çoi në pranga dhe “arrest shtëpie” tre ish-drejtorë të lartë të Bashkisë së Tiranës dhe disa zyrtarë të tjerë.

Në një bashkëbisedim me disa nxënës të gjimnazit “Qemal Stafa”, Veliaj tha se zyrtarët që tashmë akuzohen nga SPAK për korrupsion me miliona euro tendera, duke i përfituar përmes kompanive të tyre, janë larguar nga stafi i Bashkisë. Ai shtoi se “organizata” e tij në Bashkinë e Tiranës është “më e rëndësishme se 1 apo 2 persona”.

“Por, si çdo organizatë, ashtu si organizmi i njeriut, ka sfidat e saj. Pyetja është: Si i adresojmë këto sfida? Sot e kam nisur ditën me një takim, ku morëm vendimin për largimin e disa kolegëve sepse organizata e madhe është më e rëndësishme se 1 apo 2 persona, të cilët mund të kenë probleme me ligjin dhe duhet t’i zgjidhin këto probleme me drejtësinë. Unë uroj që të provojnë pafajësinë e tyre, por teksa i zgjidhin ato probleme, na duhet që organizata të vazhdojë përpara. Në një organizatë, - nuk ka rëndësi nëse është shkollë, nëse është bashki, nëse është drejtori apo kompani e madhe, - nëse ka një problematikë, ajo duhet adresuar”, deklaroi Veliaj.

Veliaj tha më tej se ish-bashkëpunëtorët e tij në Bashkinë e Tiranës, tashmë duhet “të sqarojnë problemet e tyre me drejtësinë”, ndërsa “organizata”, tha ai “duhet “të ecë përpara”.

Kryebashkiaku i Tiranës tha se u dëshiron pafajësinë atyre, dhe se në vijim do të duhet të mendojë me kolegët e bashkisë, “disa masa konkrete që do duhen marrë, në mënyrë që të ketë një kontroll më të rreptë e një parandalim më efikas ndaj çdo lloj devijimi potencial nga standardet më të mira publike”.

Video