Mbledhja e Komisionit Hetimor për koncesionet në Shëndetësi e parashikuar për ditën e sotme ka dështuar. Anëtarët e Partisë Socialiste nuk u paraqitën në mbledhje, pasi sipas tyre nuk kishte vendimmarrje për mbledhjen e radhës.
Kryetarja Albana Vokshi, ndërsa karriget e socialistëve ishin bosh, hodhi akuza ndaj tyre se po bëjnë përpjekje për të bllokuar punën e komisionit për dy koncesionet, sterilizimin dhe check up-in.
'Po tenton të pengojë punën, në papërgjegjshmëri totale, duke përdorur hile, pretekste të paqena. Bazuar në rregullore unë do njoftoj mbledhjen e ardhshme ditën e premte. Kam marrë firmat e deputetëve të opozitës, dhe mbledhja do thirret të premten. Kam njoftuar një konferencë për shtyp.'- tha Vokshi.
Ndërkohë, nënkryetari Plarent Ndreca tha se nuk u paraqitën në mbledhje pasi Vokshi caktoi datën pa u konsultuar.
“Shkeljet e kryetares së komisionit në drejtim të komisionit shkojnë në pikën, që nuk respekton as rendin e ditës së njoftuar prej vetë asaj. Madje, pavarësisht se kishte vendosur në tavolinë si pikë të rendit të ditës miratimin e datës së mbledhjes së radhës, në shkelje të plotë të detyrës së saj, nuk lejoi vendimmarrjen e komisionit, por e mbylli mbledhjen në mënyrë të njëanshme dhe njoftoj një datë të pa miratuar nga ana e komisionit”, ka reaguar Plarent Ndreca.