Me urdhër të SPAK, u arrestua sot sekretarja e Përgjithshme në Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Joana Duro, si dhe punonjësja tjetër e MSH-së, Laureta Sheto nën akuzat për korrupsion.
Por, duket se kryeministri Edi Rama ishte në dijeni të këtij arrestimi. Gjatë fjalës së tij, në aktivitetin e turit të falenderimeve në Tiranë, Rama tha sot se një ish-sekretare e përgjithshme është kapur në flagrancë duke marrë lekë. Kreu i qeverisë iu drejtua me ish, duke lënë të kuptojë se ka firmosur dhe shkarkimin e saj.
"Një ish sekretare e përgjithshme kapet në flagrancë duke marrë Lekë, si mund të ndodhë kjo? Natyrisht që ana e pëlqyeshme e kësaj medalje është që kapet një person që është i padenjë për të qëndruar në një zyrë shteti, uroj të ketë sa më shumë të tilla dhe nuk mund të uroj që sa më shumë njerëz të bëjnë gjëra të tilla sepse është diçka e rëndë dhe mungesa e sensit të patriotizmit, të detyrës, të etikës në pikën që në një detyrë të rëndësishme të biesh në këtë lloj niveli, është realisht e tmerrshme.
Këtu ne e kemi hapur vetë këtë kuti të pandorës, e kemi hapur vetë sepse nuk kemi pranuar që të marrim përsipër përgjegjësuinë e qeverisjes së vendit duke mbajtur këmbën tek kapaku i asaj kutie duke vazhduar avazin ku të fuqishmit e këtij vendi kurrë nuk janë thirrur nga drejtësia. 100 herë të kthehesha mbrapa, 100 herë do të bëja të njëjtën gjë sepse kjo është arsye pse unë bëj këtë punë që bëj.
Ne e kemi zgjedhur këtë rrugë tjetër, në këtë rrugë nuk ka kthim mbrapa dhe nuk ka kompromis me askënd. Unë e kam ditur që kjo nuk është një rrugë që do të mbarojë shpejt. Kjo është rruga e një gjenerate për të arritur që ky vend të ketë drejtësi të barabartë për të gjithë. Kjo është një rrugë me situata të vështira, njerëz që kanë marrë gjithçka." u shpreh Rama.