Thirrja e SHBA-BE për zgjatjen e vettingut, Basha, sms deputetëve

9 February 2022, 23:00Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Thirrja e SHBA-BE për zgjatjen e vettingut, Basha, sms deputetëve

Kreu i PD, Lulzim Basha u ka dërguar mbrëmjen e sotme deputetëve një SMS ku i lajmëron për mbledhje dy orë para seancës parlamentare në Kuvend ku pritet të votohet zgjatja e afatit të organeve të vettingut.

Në mbledhje pritet që deputetët demokratë të njihen me qëndrimin që PD do të mbajë në lidhje me propozimin e mazhorancës për të zgjatur këtë afat deri në vitin 2024.

Negociatat para votimit në Kuvend të propozimit të mazhorancës kanë futur në lojë edhe ndërkombëtarët.

Ditët e fundit, zyrtarë të lartë të ambasadave të vendeve të perëndimit në Tiranë kanë shkuar në selinë blu për të arritur një unanimitet mes palëve sa i takon këtij procesi.

Si përgjigje ata kanë hasur një kundërshtim në lidhje me këtë çështje pasi duke qenë se propozimi ka ardhur nga socialistët, demokratët kanë frikë se mund të përdoret nga Berisha  për t’i sulmuar për një ujdi e mundshme mes palëve.

Negociatat janë shtrirë edhe në selinë rozë, duke bërë që retorika mes palëve të zbutet gjatë ditëve të fundit, ndërsa socialistët duket se kanë lëshuar “pe” nga disa qëndrime të forta në komisionet hetimore përballë kërkesave të demokratëve.


Video