Pasi kapi çiftëzuesit e rremë në gjendjen civile të Tiranës, ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja iu përvesh këtë të mërkurë hajdutëve të xhepit në Postën Shqiptare.
“Qëllimi është shumë i qartë, tha ai, duhet që ta zhveshim këtë institucion nga një mentalitet që po na dëmton çdo ditë. Duhet ta themi hapur: Vendi i punës më i kërkuar në Postën Shqiptare është arkëtari në sportel, pra ku jepen pensionet dhe ndihma ekonomike. Asnjë nuk shkon të kërkojë punë ku përpunohen letrat, zarfat, korrespodenca. Të gjithë duan të bëhen arkëtarë”, tha ai.
E më tej ministri sqaroi se pse të gjithë donin të punonin si arkëtarë.
“Mos të bëjmë bisedë me maska; Është e qartë pse duan tek arka. Tek arka duan sepse duke funksionuar ai sistemi i shpërndarjes së pensioneve me zarfa dhe nisin e bëjnë arkëtarët llogaritë: Nga pensioni i ish-kooperativës heq 200 lek, nga ai i shtetit heq 500 lëk, kur i shkon në shtëpi 1000 lekë”, është shprehur Manja.
Fill pas kësaj, ministri paralajmëroi arkëtarët kudo që ndodhen që të kenë kujdes, se u ka lëshuar në kurriz strukturën e tmerrshme antikorrupsion që drejton në Ministrinë e Drejtësisë.
“Pensionisti, invalidi, personi që vjen tek sporteli merr një zarf, firmos e as nuk i numëron në shumicën e rasteve, sepse ka një si marrëveshje të heshtur me hajdutët e arkave”, tha ai.
Pikërisht në këtë moment, ministri Manja zbuloi se fajin për korrupsionin në nivelet e larta e kanë arkëtarët, kudo që ata ndodhen.
“Hajdutët fillojnë që këtu. Këtu ku jemi sot. Korrupsioni nga poshtë shkon lartë, jo nga lartë poshtë. Dikush i mban këta në punë”, ka thënë Ministri i Drejtësisë.